Mendim

Ligji për armët u miratua, por çfarë duhet bërë për rivënien në punë të uzinave ushtarake?

Prof. Ass. Dr. Ismet Drenova* - Në stadin aktual industria ushtarake është me ndërtesa e infrastrukturë të amortizuar në përgjithësi si dhe me teknologji, makineri e pajisje të vjetra.

Për vënien në punë të kësaj industrie shtrohen detyra të rëndësishme që, hap pas hapi, kërkojnë studime shkencore e teknike. Detyrë parësore është të përcaktohen programet e prodhimit të armatimit për sasinë dhe në tipe sipas kërkesave të Forcave të Armatosura. Paralelisht duhet punuar edhe për sigurimin e kërkesave të ofertave të huaja për prodhimin e armëve, municioneve, aparaturave e pajisjeve, në sasi e tipe, qoftë edhe si elementë të veçantë. Eshtë e nevojshme që KAYO t’i sigurojë këto të dhëna në një kohë sa më optimale. Gërshetimi i këtyre të dhënave të FA edhe me kërkesat e ofertave do të krijonte të dhëna të rëndësishme për të përcaktuar programin e prodhimit të armatimit në sasi e tipe. Programi i prodhimit të armatimit duhet studiuar edhe në aspektin e ngjashmërisë së tij me ato që kanë prodhuar uzinat ushtarake më parë. Fakti që uzinat, për disa prodhime armatimi disponojnë dokumentacione të plota (know how), është një avantazh i madh që linjat e prodhimit të ngrihen në afate optimale.

Një informacion i plotë për programin e prodhimit na mundëson të përcaktojmë linjat e prodhimit për çdo uzinë në përputhje me afatet e rivënies në punë të tyre të shtrirë në kohë deri në vitin 2030.

Realizimi i kësaj detyre të vështirë kërkon studime, organizim edhe bashkërendimin e punës midis KAYO, uzinave ushtarake, institutit të Gjeografisë e Infrastrukturës dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Nëse do të kemi oferta për investime të huaja të cilat duhen vlerësuar për leverdishmërinë, atëherë ky opsion t’i paraprijë procesit të rivënies në punë të uzinave ushtarake. Nomenklatura e prodhimit të armatimit është e rëndësishme pasi teknologjitë e linjave të prodhimit varen shumë nga sasitë e prodhimit. Linjat e prodhimit të armatimit në uzinat tona nuk do të jenë me cikël i mbyllur pasi aktualisht ne nuk prodhojmë trotil, barut etj, të cilat sigurohen nga importi.

Ngritja e linjave të prodhimit të armatimit duhet të plotësojë nevojat tona për armatim si në cilësi e sasi ashtu edhe për eksport.

Krahas nomenklaturës së prodhimit duhet të përcaktohet edhe nomenklatura e demilitarizimit te municioneve. Demilitarizimi është një proces që shoqëron ruajtjen e mirëmbajtjen e municioneve. Dihet që me kalimin e kohës, baruti, lendet piroteknike në përgjithësi humbasin qëndrueshmërinë e tyre fizike e kimike dhe bëhen të rrezikshme për vetëndezje. Laboratorët e MM mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm qëndrueshmërinë e partive të barutit etj, dhe në bazë të këtyre rezultateve përcaktohen municionet që duhen demilitarizuar.  Armët që dalin dora dorës jashtë strukturave të FA duhet të përfshihen në procesin e demilitarizimit. Bazuar në kërkesat për demilitarizim e armëve dhe municioneve, është e nevojshme që, (KAYO në bashkëpunim me MM). të ndërtohet grafiku demilitarizimit i shtrirë ndër vite deri në 2030.

Nëse do të ketë oferta për demilitarizim e armëve të vogla dhe të lehta, linjat e demontimit mund të vihen në efiçencë. ULP Mjekes, Kombinati Mekanik Polican ka linjat e demilitarizimit me teknologji, makineri e pajisje të reja ndër të cilat mund të përmendim insineratorin e importuar nga Amerika për demilitarizimin e armëve të vogla e të lehta si dhe makinat e pajisje të importuar nga Italia e Turqia. Eksperienca e marrë në Itali e Turqi për teknologji e makineri e pajisjet rezultoi e suksesshme në procesin e demilitarizimit të municioneve. Uzinat ushtarake kanë punuar me detyra projektimi për linjat e demilitarizimit të municioneve të miratuar nga Zv-ministri i Mbrojtjes i cili mbulonte këtë proces.

Problem tjetër i rëndësishëm është edhe hartimi i studimit të fizibilitetit të uzinave ushtarake me treguesit tekniko-ekonomik të investimeve si përsa i përket teknologjisë ashtu edhe infrastrukturës ndërtimore.

Rruga më e mirë për hartimin e studimeve të fizibilitetit të uzinave ushtarake është bashkëpunimi i uzinave me Institutin e Gjeografisë e Infrastrukturës (sektori teknologjisë).

Variant tjetër mund të jetë ngritja e grupeve të punës, me numër të kufizuar  inxhinierësh e specialistësh që,  në bashkëpunim me institutin Gjeografisë dhe Infrastrukturës, të hartojnë studime fizibiliteti të uzinave. Eshtë mirë që rekrutimi i inxhinierëve për këto grupe pune të bëhet në qytetet ku janë uzinat ushtarake.

Këto grupe pune mund të shërbejnë edhe gjatë kohës së rindërtimit të linjave të prodhimit të armatimit dhe shfrytëzimit të tyre. Në këto grupe pune mund të angazhohen si konsulentë edhe inxhinierë e specialistë që kanë punuar në këto uzina. Për hartimin e fizibilitetit mund të angazhohen firma e kompani të vendit apo të huaja. Integrimi në NATO shtron si detyre që, dora dorës, armatimi i FA të përputhet me standardet e saj. Pra, nga njëra anë kërkohen municione, e pjesë nderimi të konsumit të shpejtë etj dhe nga ana tjetër nevojitet ruajtja e mirëmbajtja e tyre.

Si do të realizohet puna studimore projektuese për prodhimin e armëve dhe municione të standardit të NATO-s?. Kjo detyrë ndoshta nuk është imediate, por mbetet objektiv për të ardhmen. Sektori i teknologjisë në institutin e Gjeografi -Infrastrukturës duhet të fuqizohet me inxhinierë, specialistë, kimistë etj, me qëllim që të studiojë e projektojë në bashkëpunim me uzinat ushtarake linjat e reja të prodhimit të armatimit. Njëkohësisht pranë këtij sektori mund të thirren për konsulencë apo për të punuar me orë të kufizuara inxhinierë e specialistë që kanë punuar në këto fusha.

Ky sektor do të jetë një mbështetje e fuqishme për KAYO, në fushën e punës studimore projektuese edhe do të kryejë studimet e nevojshme për të tashmen e të ardhmen e industrisë ushtarake.

Rivënia në punë e uzinave ushtarake mund të realizohet në disa variante; Varianti me optimal është investimet nga firmat e huaja sepse ato shoqërohen me dokumentacionin e plotë të prodhimit (know how), me standardet e sigurisë etj.

Në bazë të planimetrisë të shtrirjes teknologjike të reparteve kryesore e ndihmëse të paraqitur nga firma do të bashkëpunohet për infrastrukturën e ndërtimit të godinave ku do të instalohen linjat e prodhimit të armatimit. Variant tjetër është që, bazuar në programin e prodhimit deri në vitin 2030, të projektohen e ndërtohen linja të reja me makineri, pajisje te importit. Kështu, nëse do të kishte kërkesa për prodhimin e automatikut AK47 Uzina Mekanike Gramsh, në bashkëpunim me institutin e Gj-Inf, duke u mbështetur në eksperiencën e saj për prodhimin e këtij automatiku, mund projektojë e ndërtojë linjën e prodhimit në seri, duke importuar makineri, pajisje të reja. Nga ana e infrastrukturës ndërtimore natyrisht do të rinovohen ndërtesa sipas nevojës së teknologjisë së prodhimit.

Krahas saj mund të organizohet puna studimore e projektuese për prodhimin e automatikut të standardit të NATO-s që përdor fishekë të kalibrit 5,56x45mm. Për municionet që përdorin këto automatikë duhet të angazhohet Kombinati Mekanik Poliçan. Në bazë të përvojës që ka me makineri e pajisje të importuar kjo uzinë mund të projektojë linjën e re të prodhimit të fishekut 7,62x39mm. Ndërkohë ajo të punojë për studimin e projektimit e fishekut të standardit të NATO-s  5,56x45mm.  Këto linja duhet të jenë fleksibël për të kaluar nga një kalibër në një tjetër kalibër të përafërt. Mundësi tjetër mund të jetë edhe bashkëpunimi i shtetit me privatin për ti projektuar e ngritur këto linja, por ky variant aktualisht është i pamundur sepse nuk mund të gjejmë kompani private, që punojnë në këtë fushë.

Kualifikimi i inxhinierëve, teknikëve dhe punonjësve për vënien në shfrytëzim të linjave të prodhimit të armatimit kërkon programe të veçanta si përsa i përket sigurisë ashtu dhe të teknologjisë së prodhimit. Uzinat ushtarake kanë natyra specifike të ndryshme sepse punohet me lende plasës si trotil, barut etj, që paraqesin rrezikshmëri. Këto aspekte të veçanta, për nga natyra e tyre, njihen pak nga inxhinierët dhe punonjësit. Programet e kualifikimit duhet të jenë të ndryshme për çdo uzinë. Një ndihmesë në këto kualifikime mund të japin specialistët e armatim municionit, të xhenios, të kimisë etj. duke hartuar programe e duke dhënë leksione për këto lende. Për t’i paraprirë ngjarjeve të padëshirueshme gjatë procesit të prodhimit të armatimit punonjësit që punojnë me këto lende duhen të liçensohen. Ky kualifikim është i domosdoshëm dhe i nevojshëm të realizohet krahas ndërtimit të linjës.

Studimi e projektimi i një linje armatimi mbështetet në tre shtylla kryesore;1. Standardet e sigurisë që duhet të plotësojë vendi ku do të ndërtohet objekti në tërësi. 2. Standardet ambientale që duhet të sigurojë objekti që do të ndërtohet 3. Standardet e teknologjisë së prodhimit dhe të provave e testeve të armatimit.

Me standardet e sigurisë ku do të ndërtohet linja apo uzina nënkuptohet domosdoshmëria e  respektimit të distancave të sigurisë nga qendrat e banuara. Në përcaktimin e distancave të sigurisë duhet të angazhohen edhe specialistë të armatim municionit, të xhenios, të kimisë etj. Rëndësi ka hartimi i skemës së ruajtjes fizike të objektit, rregullores së hyrjes,  daljes në objekt. Repartet kryesore e ndihmëse duhet të respektojnë distancat e sigurisë midis tyre, mbrojtjen me barriera dheu etj. Rëndësi duhet t’i kushtohet depove të municioneve trotilit, barutit etj. Repartet duhen të pajisen me sisteme të mbrojtjes kundër zjarrit edhe objekte të ndihmës së shpejtë (infermieri) etj. Vëmendje e veçantë duhet tí kushtohet objekteve të provave e testimeve të armatimit brenda territorit të uzinës dhe jashtë saj.

Në të tre uzinat ushtarake duhet të rikontrollohen distancat e sigurisë, sepse kohët e fundit mund të jenë bërë ndërtime publike, si shtëpi etj. Standardet ambientale kërkojnë që proceset teknologjike të linjave të prodhimit që nxjerrin gazra të dëmshme  të pajisen me sisteme të pastrimit të gazrave (sipas normave të Bashkimit Europian) para se ato të shkarkohen në mjedis. Edhe për ujërat e ndotura që dalin nga proceset teknologjike kërkohen impiante të pastrimit të tyre (sipas normave të Bashkimit Europian) përpara se ato të shkarkohen në mjedis. Plotësimi i këtyre kushteve ka të bëjë me sigurimin e shëndetit të punonjësve. Leja mjedisore e miratuar nga Ministria përkatëse duhet t’i bashkëlidhet projektit të linjës apo uzinës që ngrihet. Standardet e sigurisë së teknologjisë të prodhimit kërkojnë që operacionet që paraqesin rrezik për jetën e punëtorit të bëhen pa prezencën e punëtorit. Teknologjia e projektuar duhet të sigurojë standardet e sigurisë për çdo repart, për magazinat ndër-operacionale të lendeve plasëse, barutit etj. Edhe SOP (standardet e procedurave operacionale) janë të nevojshme për çdo operacion pune.

Në linjat e prodhimit duhen të vendosin audit verifikues që do të ndjekin zbatimin e standardeve si përsa i përket sigurisë ashtu dhe teknologjisë.

Në këtë kuadër projekti teknologjik i një linje për prodhimin e armatimit duhet t’i nënshtrohet një oponence të hollësishme të përgatitur nga specialistët më të mirë të Ministrisë së Mbrojtjes të KAYO dhe instituti Gj-inf (sektori teknologjisë). Mbi këtë bazë shqyrtohet e miratohet projekti i linjës, dhe autorizohet ngritja e saj.

Si konkluzion mendojmë se rivënia në punë e uzinave ushtarake rrok probleme të rëndësishme që kërkojnë zgjidhje imediate e të perspektivës. Për të pasur një vizion shkencor e teknik është e domosdoshme që të merret përvoja e huaj si ajo e shteteve lindore, që industrinë ushtarake shtetërore e kanë kthyer në Sh.a psh Bullgaria, Rumania (ato tashmë eksportojnë municione të standardit të NATO-s) ose edhe në Turqi. Përvojë mund të merret edhe për organizimin e punës studimore projektuese në fushën e armatimit, në fushën për punën kërkimore shkencore etj. Eksperienca na ka treguar se shkëmbimi i përvojës në fushën e armatimit sjell rezultate të shpejta për ta rivendosur industrinë ushtarake në efiçencë.

*Prof. Ass. Dr. Ismet Drenova është ish- Kryeinxhinier i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve 6, konsulent i projektit të NAMSA-NATO për demilitarizimin e armëve të vogla dhe të lehta


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë