Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së, ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-avokatin e Shtetit, Irgen Kërçuku, i cili u shpall fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Kërçuku është dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion nën akuzën se është korruptuar nga Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut, i shpallur në kërkim për disa vepra penale nga SPAK.
Ai u arrestua në nëntor të 2019-tës, kur iu bë atentat bashkë me prokurorin Arjan Ndoj, ndërsa ky i fundit mbeti i vdekur.
Nga hetimet e kryera atij iu gjet në celular një video-përgjim të qershorit të 2017-të ku bisedonte për ryshfet me avokatin Irgen Kërçuku, që të mos apelonte procesin gjyqësor për pronësinë e 45 mijë metra/katrorë pronë shtetërore në Gjirin e Lalzit.
Irgen Kërçuku, akuzohet nga SPAK se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Aleksandër Laho, akuzohet se ka kryer veprën penale “ Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
SPAK thotë se është provuar se Irgen Kërçuku, me detyrë asokohe avokat i shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë 900 000 lekë nga Aleksandër Laho i quajtur ndryshe “Rumi”, për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, lidhur pronat në Lalëz.
Ai u pagua për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, pas një ngërçi të gjatë ligjor me 45 mijë metra/katrorë në Gjirin e Lalëzit me paditës Pal Seçuni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.