Gazeta Si- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i kërkoi Gjykatës së Posaçme të ripërsërisë pjesërisht akt-ekspertimin e dëmit ekonomiko-financiar të çështjes "Gërdeci".
Sipas avokatëve të Mediut, ekspertët nuk kanë marrë parasysh një shkresë të Kombinatit Mekanik të Poliçanit, të vitit 2007, ku përllogariten kostot e demontimit të municioneve, duke i konsideruar të dhënat e saj të falsifikuara.
Avokati Henrik Ligori i tha gjykatës se mbi dyshimtë për falsifikim janë kallëzuar penalisht tre zyrtarë të kombinatit, por më pas gjykata e Beratit, ajo e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Lartë kanë pushuar akuzën ndaj tyre.
Në këto kushte, tha avokati Ligori, të dhënat e shkresës në fjalë kanë qenë të sakta.
Në vijim, avokati i kërkoi gjykatës të marrë në cilësinë e provës tre vendimet gjyqësore dhe të urdhërojë kryerjen e një akt-ekspertimi të ri të pjesshëm.
Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet nga SPAK se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.
Mediu po gjykohet për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”. Ish-ministri ka mohuar akuzat ndaj tij, duke u shprehur se gjatë detyrës ka zbatuar gjithnjë ligjin.
Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.
Nga shpërthimi në Gërdec më 15 mars 2008 humbën jetën të paktën 26 persona e u plagosën qindra të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.