Drejtësia

‘Partizani’ / SPAK thërret Berishën për t’u njohur me akuzat, deputetë dhe militantë të PD në protestë para godinës

Gazeta Si- Ish-kryeministri dhe kreu i opozitës, Sali Berisha paraqitet për herë të dytë në Prokurorinë e Posaçme, ku pritet të merret zyrtarisht i pandehur dhe të njihet me akuzat ndaj tij për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Deri më tani, Berisha, në "arrest shtëpie" prej dhjetorit 2023, është hetuar për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-klubit “Partizani”, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, gjthashtu në "arrest shtëpie", i cili dyshohet se përfitoi duke ndërtuar kulla mbi truall, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Akuza do t’i komunikohet edhe dhëndrit të tij, Malltezi i cili në SPAK do të mbërrijë në orën 14:00. Ndërkohë, opozita dhe qytetarët, janë mobilizuar për të mbështetur liderin e tyre, duke kundërshtuar arrestin e tij, të cilin e cilësojnë politik.

Deputetë dhe pjesëtarë të strukturave të PD-së do të jenë të pranishëm në orën 12:00 përpara SPAK.

Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka dhe kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi kanë kërkuar mobilizimin e deputetëve dhe strukturave për të mbështetur kryedemokratin në përballjen e tij të radhës me drejtësinë.

Ende nuk bëhet me dije se cilat janë akuzat zyrtare për të cilat Berisha mund të merret i pandehur nga ana e SPAK. 

Ndërkohë ai ka zhvilluar disa beteja me drejtësinë për të fituar lirinë, por kërkesat e tij janë rrëzuar nga ana e gjykatave. 

Në 20 tetor të vitit 2023, Gjykata e Posaçme e përfaqësuar nga gjyqtarja Irena Gjoka firmosi 3 udhër-arreste, në mungesë masë sigurimi “detyrim paraqitje” dhe “bllokim pasaporte” për Berishën, ndërtuesin Fatmir Bektashi dhe “arrest në burg” për Malltezin. Më pas ky i fundit u lirua nga Gjykata e Apelit, e cila e dërgoi në “arrest në shtëpi”.

Ndërsa për Berishën, duke qenë se nuk u paraqit për të firmosur të hënën e parë dhe të 3 të çdo muaji, SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesë për heqjen e imuniteti të tij dhe kërkoi nga gjykata ndryshim të masës së sigurimit. Togat e zeza vendosën më 30 dhjetor 2024 që Berisha të hetohet nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi”. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë