Gazeta Si- Dy vëllezër, (në gjendje civile figurojnë xhaxha dhe nip), janë vrarë pasditen e kësaj të marte me armë zjarri kallashnikov në Kurjan të Roskovecit në Fier pas një sherri për motive të dobëta. Mësohet se vrasja e dyfishtë ndodhi në lokalin e viktimave, që ndodhej në qendër të fshatit Kurjan.
Sipas policisë, viktimat janë Lavdimir Kurtaj 46 vjeç dhe Gramoz Kurtaj, 52 vjeç. Ndërsa autor i dyshuar i krimit të rëndë, Altin Kuka, 49 vjeç, mësohet se është vetëdorëzuar në polici së bashku me armën e krimit.
Sipas burimeve policore, një konflikt mes djalit të autorit, Altin Kukës dhe dhe dy viktimave, që mësohet se ka ndodhur një natë më parë, dyshohet të jetë bërë shkak që 49-vjeçari të ekzekutonte kushërinjtë Kurtaj.
Në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Fierit, Shpëtim Hasanaliaj tha se pas vetëdorëzimit në polici, 49-vjeçari Kuka pranoi se e kishte kryer krimin për shkak të një konflikti të çastit që i biri kishte pasur me viktimat.
Viktimat janë transportuar me ambulancë drejt spitalit të Fierit. Por nuk kanë mundur që t'i mbijetojnë plagëve të marra nga breshëria e automatikut.
“Rreth orës 14:00, në fshatin Kurjan, Roskovec, në rrethana ende të paqarta, shtetasi Altin Kuka, 49 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri, shtetasit Lavdimir Kurtaj dhe Gramos Kurtaj Shërbimet e Policisë po shoqërojnë në Komisariat, autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Altin Kuka. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar armën e dyshuar të krimit (armë zjarri automatike). Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha policia e Fierit në një informacion paraprak për mediat.
Pasi kishte kryer vrasjen, ndërkohë që policia edhe FNSh ishin nisur drejt vendit të ngjarjes, 49 vjeçari kishte shkuar i qetë në ambientet e komisariatit të policisë për tu vetëdorëzuar Nga pamjet duket se vrasja ka ndodhur para një barake që dukej se funksiononte si lokal fshati në pronësi të viktimave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.