Drejtësia

Berisha shkon në SPAK të mërkurën për dosjen ‘Partizani’, do njihet me akuzat së bashku me Malltezin

Gazeta Si - Pas dy ditësh, të mërkurën e 11 shtatorit, ish-kryeministri Sali Berisha, që prej 31 dhjetorit në “arrest shtëpie” për dosjen “Partizani”, do të paraqitet në SPAK për t’u njohur zyrtarisht me akuzat.

Sipas burimeve, kryetari i opozitës do të paraqitet në orën 12:00 në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi, edhe ai në “arrest shtëpie” për të njëjtën çështje dhe në hetim nga SPAK, do të shkojë në orën 14:00.

Kreu i Partisë Demokratike prej 8 muajsh e gjysmë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” të vendosur nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK, pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.

Vjeshtën e viti 2023, Gjykata e Posaçme shpalli tre masa sigurie, duke vendosur detyrim paraqitje ndaj ish-kryeministrit Berisha, i cili nuk u paraqit për t’u njohur me masën, kurse dhëndri i tij nga “arrest me burg”, përfundoi nën “arrest shtëpie”.

SPAK thotë se Jamarbër Malltezi është përfshirë në korrupsion dhe ka përfituar 5.4 milionë euro, gjatë këtyre procedurave, i favorizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, të cilin e ka vjehërr.

Nën hetim për këtë dosje me masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” është edhe biznesmenin Fatmir Bektashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë