Arsim

Viti i ri shkollor/ Më pak nxënës në rrethe, mbyllen shkolla dhe krijohen klasa kolektive. Në Tiranë mësim me turne

Nga Gazeta Si – Ky vit i ri shkollor ka nisur me të njëjtat problematika që vijojnë prej vitesh tashmë në vendin tonë.

Edhe pse shifrat e përgjithshme janë të njëjta me një vit më parë, kemi një rënie prej 1 mijë nxënësish që futen në klasën e parë. Krahasuar me dekadën e fundit, kemi 30 për qind më pak nxënës që ulen në bankat e shkollave.

Problematikat vijojnë të mbeten të njëjtat, me mbyllje shkollash dhe klasa kolektive nëpër rrethe për shkak të mungesës së nxënësve dhe me mësimin me dy turne në Tiranë.

Mësohet se edhe këtë vit mësimi do vijojë me dy turne në Tiranë edhe pse ende nuk ka të dhëna se sa prej tyre, duke bërë që edhe këtë vit prindërit të kenë dilemat e viteve të fundit se si do të menaxhojnë oraret e mësimit të pasdites me oraret e punës.

Në rrethe situata është e trishtë

Viti i ri shkollor ka nisur me mungesa të mëdha në rrethe, me shkolla që janë mbyllur për shkak se janë regjistruar vetëm dy fëmijë apo dhe me klasa kolektive, ku një nxënës i klasës së pestë bën mësim me një nxënës të klasës së parë, dytë dhe më tej.

Në një nga shkollat më të mëdha në Gjirokastër janë regjistruar vetëm 6 nxënës në klasë të parë, duke lënë në dilemë drejtuesit e shkollës se si do të zhvillohet mësimi për këto nxënës.

Në total, në Gjirokastër janë regjistruar 250 nxënës në klasën e parë, 90 më pak se një vit më parë.

Rënie ka pasur edhe në Elbasan dhe Korçë.

Në Korçë ka një ulje prej 1800 nxënësish, 380 nxënës më pak në klasën e parë.

Në Maliq janë mbyllur 4 shkolla. Gjithashtu edhe në Pogradec e Dibër ka mbyllje të shkollave.

Ekspertët thonë se rënia e numrit të nxënësve që regjistrohen në klasën e parë vjen si pasojë e largimit të familjeve drejt qyteteve dhe rënies së numrit të lindjeve.

Arqipeshkvi i Shkodrës Angelo Massafra e shikon si problematike uljen e numrit të nxënësve nëpër shkolla.

Ai deklaroi se shkollat janë në rrezik për shkak të uljes së numrit të nxënësve çdo vit nga emigrimi masiv apo lindjet më të pakta.

“Forcimi i familjes është një masë emergjente që duhet ta ndërmarrë shteti shqiptar për të shpëtuar arsimin, por edhe vendin”, tha arqipeshkëvi Massafra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë