Nga Gazeta 'SI'- Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut operacional”, dedikuar subjektet financiare jo-banka.
Banka e Shqipërisë parashikon që në raste të caktuara, kur këto subjekte apo institucionet e parasë elektronike, shfaqin sinjale risku, të bëhen subjekt i kësaj rregulloreje.
Në këtë rast, Banka e Shqipërisë do të përcaktojë një afati kohor brenda të cilit subjekti duhet të sigurojë plotësimin e kërkesave të rregullores së mësipërme.
Ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut operacional” përfshijnë disa detajime në përkufizimet e rrezikut strategjik dhe operacional, si edhe saktësojnë përgjegjësitë e hallkave përkatëse drejtuese në lidhje me zbatimin e kërkesave të kësaj rregulloreje.
Gjithashtu, projektrregullorja ka parashikuar disa ndryshime në anekset e raportimit, me qëllim një detajim më të plotë të llojeve të rreziqeve operacionale që subjektet e rregullores duhet të monitorojnë dhe identifikojnë.
Ndërkohë, në rastin kur do të jenë subjekte të rregullores tjetër, “Për administrimin e rrezikut operacional nga bankat, institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike”, subjektet duhet të administrojnë rrezikun operacional, duke zbatuar modelin e tre linjave të mbrojtjes, ku në linjën e parë përfshihen njësitë e biznesit dhe funksionet ndihmëse, në linjën e dytë përfshihet funksioni i pavarur përgjegjës për administrimin e rrezikut operacional dhe njësia e përputhshmërisë dhe në linjën e tretë përfshihet funksioni i pavarur i kontrollit.
Linja e parë e mbrojtjes
Në këtë pikë subjektet duhet të identifikojnë dhe vlerësojnë rreziqet operacionale si dhe materializimin e tyre. Duhet të vendosin sisteme të përshtatshme të kontrollit, të raportojnë ngjarjet, mangësitë etj.
Linja e dytë e mbrojtjes
Në këtë pikë subjektet duhet të kenë një zë të pavarur që vlerëson rrezikun operacional, sigurinë, efektivitetin, dokumentimin, raportimin etj.
Linja e tretë e mbrojtjes
Kjo është faza e fundit, ku dy të para bashkëpunojnë për të rishikuar të gjithë sistemin e monitorimit dhe menaxhimit të rrezikur operacional. Kryhen analiza nëse siguria është e mjaftueshme. Përtej kontrollit të, linja e tretë e kontrollit duhet të vlerësojë në mënyrë të pavarur nëse sistemi i administrimit të rrezikut operacional plotëson nevojat dhe objektivat e subjektit, si dhe nëse është në përputhje me dispozitat ligjore dhe statutore, marrëveshjet kontraktore, rregullat e brendshëm të subjektit dhe kodin e etikës.
Pasi të miratohen nga Këshilli Mbikëqyrës, rregulloret e reja pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2025.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.