Analize

Serbia, superfuqia ushtarake që shkon përtej rajonit. Shifrat e importet që u shtuan edhe me avionët francezë Rafale

Nga Megi Iskurti - Në 2015-n, kur Kroacia - "armik" i përbetuar i Serbisë në rajon - nisi ‘garën e armatimeve’ në Ballkan dhe kërkoi nga Shtetet e Bashkuara t’i dhuronin 16 sisteme raketash balistike, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, atëbotë kryeministër, tha se vendi i tij duhet të gjente përgjigje për këtë.

Përgjigjen afërmendsh e kërkoi gjetkë në Moskë, e cila i premtoi se do t’i dhuronte një model të sistemit rus të mbrotjes raketore S-300.

Tashmë, pas thuajse një dekade, Serbia jo vetëm që ka lënë prapa Kroacinë por mban vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për sasinë më të madhe të armëve. Rusia, të cilës ajo ka refuzuar t’i vendosë sanksione për shkak të luftës në Ukrainë, mbetet një ndër furnizuesit më të mëdhenj të armëve, me rreth 30%.

Furnizues të tjerë kryesorë janë Kina me 43% dhe Bjellorusia me 20%.

Aktualisht, sipas të dhënave të fundit që datojnë në 2022-shin, Serbia renditet në vendin e 37 në nivel botëror sa i përket blerjeve të armëve në periudhën 2018-2022, me një rritje prej 743% të shpenzimeve për këtë qëllim në krahasim me periudhën 2013-2018.

Të fundit që iu shtuan ‘në koleksion’ janë 12 avionë luftarakë Rafale nga Franca. Marrëveshja me vlerë 3 milionë euro u nënshkrua në Beograd.

Gjeografia e shteteve që po pajisen me avionët Rafale

Ekziston një barometër jashtëzakonisht i besueshëm i tensioneve ndërkombëtare: shpenzimet e armëve.

Në një epokë kur siguria ushtarake është bërë sërish prioritet dhe siguria po përcaktohet në një kornizë militariste, gjeografia e shteteve që po armatosen sa vjen e po zgjerohet.

SIPRI, instituti i pavarur me bazë në Stokholm që mbledh të dhëna nga e gjithë bota, në raportin e këtij viti deklaroi se shifrat e shpenzimeve të armëve në vitin 2023 shpërthyen në nivele të reja rekord.

Në total, qeveritë shpenzuan 2.3 trilion euro, një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2022, rritja më e lartë e regjistruar nga SIPRI në më shumë se një dekadë.

Mes armëve kryesore ‘në pazare’ janë edhe avionët luftarakë francezë të gjeneratës së katërt, Dessault Rafale.

Ata u konceptuan që në fillim të programit si një platformë që do të përmbushte të gjitha nevojat e Forcave Ajrore Franceze dhe Marinës Franceze, dhe do t’u shiteshin edhe shteteve të tjera.

Në vitin 2001, ata u pranuan në shërbimin operacional të aviacionit detar dhe shpejt u bënë pjesë e Forcave Ajrore të Francës, por urdhrat nga jashtë nuk erdhën. Faktorët që ndikuan ishin tipikisht çmimi fillimisht i lartë i avionit dhe konkurrenca në treg nga avionët luftarakë amerikanë, Eurofighters.

Porosia e parë e huaj erdhi nga Egjipti, për 24 kopje. Dassault Rafale u porosit nga Katari, India, Greqia, Kroacia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezia dhe Egjipti i cili bëri një porosi të dytë për 30 avionë të tjerë.

India është shumë afër porositjes së 26 Rafale të tjera në variantin M për marinën e saj dhe një prokurim i ri i modeleve B dhe C për Forcën Ajrore thuhet se është ende në lojë.

Marrëveshjet shkojnë deri në vlerën e 17.5 miliardë eurove.

Serbia, prodhuesi më i madh i armëve në rajon

Serbia është një nga prodhuesit më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm të armëve në Europën Qendrore dhe Juglindore, një traditë që daton që nga koha e ish-Jugosllavisë.

Industria thuajse ekskluzivisht shtetërore e armatimeve është një degë e rëndësishme e ekonomisë së saj. Serbia mund të ofrojë pothuajse gjithçka - nga armët e vogla dhe minat, artileria dhe tanket, sistemet raketore, dronët, avionët luftarakë dhe pajisjet elektronike si radarët.

Ministria e Mbrojtjes në Beograd e vlerëson vëllimin e eksporteve serbe të armëve për vitin 2020 në rreth 800 milionë euro.

Dërgimi i armëve në rajonet e luftërave dhe konflikteve

Gjatë dy dekadave të fundit Serbia ka eksportuar vazhdimisht armë në zonat e luftërave dhe konflikteve ose në vendet që ndodheshin nën embargo armësh.

Në vjeshtën e vitit 2019 doli në dritë se armët serbe kishin përfunduar në duart e islamistëve militantë në Jemen përmes Arabisë Saudite. Në verën e vitit 2020 ushtria e Azerbajxhanit zbuloi armë serbe të shitura Armenisë në rajonin e kontestuar të Nagorni-Karabakut.

Në shkurt të 2022-shit një rrjet gazetarësh investigativë serbë zbuloi se armët serbe ishin dërguar në Mianmar pas puçit ushtarak të shkurtit 2021. Gjithashtu armët serbe janë përdorur në konfliktin e përgjakshëm të Sudanit. Faktet u bënë publike nga organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International.

Dhe së fundmi armët serbe u gjendën... në Ukrainë.

Sipas Financial Times, Serbia ka rritur në mënyrë diskrete shitjet e municioneve drejt perëndimit, të cilat më pas përfundojnë duke forcuar mbrojtjen e Ukrainës.

Kjo realizohet edhe pse Serbia është një nga dy vendet e vetme evropiane që nuk i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Eksportet e municioneve të Serbisë që kanë shkuar në Ukrainë nëpërmjet palëve të treta shkojnë në rreth 800 milionë euro, një shumë që presidenti Aleksandër Vuçiç tregoi se ishte gjerësisht e saktë, që nga nisja e pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë në 2022.

Ai e paraqiti situatën si një mundësi biznesi, duke këmbëngulur se nuk do të mbante asnjë anë në luftë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë