Nga Gazeta ‘Si’ – Ndërsa fillimi i hershëm i sezonit të ri shkollor po ndërpret hovin e bizneseve të turizmit për të punuar deri në fund të tetorit, ekspertët kanë ngritur alarmin se qeveria duhet të reagojë me vrik për të përmirësuar legjislacionin ekzistues.
Në një kohë kur referuar Raportit të Forumit Ekonomik Botëror rezulton se turizmi në Shqipëri siguron 22% të PPB-së, ata theksojnë që ka ardhur momenti për një bashkërendim të mirë politikash mes arsimit dhe turizmit në mënyrë që ekonomia shqiptare të përfitojë.
Koha klasike e pushimeve qershor-gusht për Shqipërinë ka mbaruar, ndaj ekspertët e turizmit vërejnë që kjo situatë duhet t’i diktojë qeverisë faktin se një ‘upgrade’ politikash është i nevojshëm.
Emergjenca më e madhe aktualisht po vihet re në largimin e punonjësve sezonalë, tipikisht studentë, që po detyrohen t’i rikthehen nisjes së shkollës duke braktisur punët në sektorin e shërbimit… në pikun e sezonit.
Zak Topuzi, Kryetari i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit ndërsa evidenton për Gazetasi.al disa nga mënyrat për të zgjidhur këtë situatë, fokusin, më së shumti, e vë tek programet e reja arsimore që Ministria e Arsimit duhet të riformatojë.
Sipas tij, ndërsa Shqipëria ka një sezonalitet të lartë ku në tre muaj vijnë 53% e gjithë numrit të turistëve, koha e kufizuar e mundësisë për të punuar në sezonin e verës është një kërkesë imediate e industrisë pasi kriza e mungesës së fuqisë punëtore ka efekte në cilësinë e standardeve të shërbimit.
Çfarë ndërhyrjesh në politika mund të bëhen?
Ndryshimi i parë që industria kërkon është përshtatja e programeve mësimore.
“Kërkesa kryesore e industrisë ndaj qeverisë shqiptare është dhënia e mundësive që nxënësit dhe studentët të mund të angazhohen në këtë industri sidomos në periudhën e verës duke përshtatur programet mësimore në mënyrë që periudha pik qershor-shtator të mund të lihet e lirë”, thekson ai ndërsa bën thirrje për një ndërhyrje në legjislacion.
Ai vëren për Gazetasi.al se është shumë e nevojshme që të bëhen ndërhyrje në programin mësimor si me rastin e “Shkollës Profesionale Duale”, ku studentët mësojnë duke punuar.
“Kjo formë arsimimi të jep mundësinë që praktikën tre ditë në javë ta zhvillosh në biznes duke mësuar zanatin nga një person i caktuar si mentor dhe gjithashtu mund të paguhesh, duke lehtësuar familjen nga një pjesë e shpenzimeve për t’u shkolluar. Gjithashtu siguron në perspektivë një vend pune nëpërmjet Kontratës së Bashkëpunimit Biznes – Shkollë”, thotë Topuzi për Gazetasi.al
“Mbështetur në “Rregullorja e Praktikave në Biznes” dhe “Rregullorja e Praktikave Verore” ndryshimi në Legjislacion lejon një nxënës të punojë në moshën 16 vjeç 6 orë në ditë dhe nga 18 vjeç punë normale. Biznesi i siguron një Kontratë Individuale dhe Libreze shëndetësore me një siguracion 120 lek /muaj ose 0.3% të pagës minimale duke ju dhënë mundësi bizneseve të ulin kostot e punësimit. Biznesi mund t’i paguajë por jo në mënyrë të detyrueshme”, vijon ai mandej.
Duke parë se rasti i Universitetit “Aleksandër Moisiu” që bëri një ndërhyrje të tillë dha rezultat, ai vëren për Gazetasi.al se të njëjtin shembull duhet të ndjekin edhe universitetet e tjerë.
“Mbyllja e programit mësimor për të lënë të lirë periudhën qershor – shtator u realizua këtë vit vetëm nga ky universitet dhe u erdhi në në ndihmë bizneseve në bregdetin Durrës – Kavajë. Shpresoj që Qeveria të ndërmarrë këtë nismë për të gjitha shkollat në Shqipëri”, citon ai.
“Vendit i duhet fuqi punëtore për të përballuar këtë rritje eksponenciale”
Për më tëpër Topuzi shton se nevojitet që më shumë të rinj duhet të ndjekin shkollat profesionale.
“Kemi një krizë në modelin e arsimit. Nga 25 mijë nxënës, vetëm 15 mijë ndjekin shkollat profesionale. Ky zhvillim i sektorit të turizmit do të kërkojë dyfishim të kapaciteteve akomoduese dhe shtim të bizneseve të shërbimit. Sigurisht rritja e standardeve kërkon shtimin e kërkesës për punonjës të trajnuar në fushën e shërbimeve.
Zhvillimi deri tani ka ardhur si rezultat i shtimit të kapaciteteve akomoduese nga 41 mijë shtretër në vitin 2016 në 110 mijë shtretër në 2024 pa përfshirë 30 mijë apartamente që jepen me qira ditore për turizëm.
Numri i turistëve për të njëjtën periudhë ka shkuar nga 4.7 milion në 10.4 milion me tendencë rritje çdo vit. Sigurisht që vendit i duhet fuqi punëtore për të përballuar këtë rritje eksponenciale. Bizneset e turizmit, tek ne janë kryesisht familjare dhe në të shumtët e tyre menaxhohen me pak punonjës”, mbyll Topuzi për Gazetasi.al duke shtuar se për të mos rrezikuar një boomerang, qeveria duhet të veprojë shpejt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.