Gazeta Si - Një 38-vjeçar nga Tirana është arrestuar, pasi dyshohet se është përfshirë në një skemë mashtrimi në bashkëpunim edhe me një shtetas turk për përvetësimin e një makine luksoze tip “Audi” me vlerë 200 mijë euro.
Policia thotë se ka vënë në pranga Elvis Kosovën, si dhe shtetasin turk, Yucehan Er. Në kërkim është shpallur edhe një 20-vjeçar, J.H., nga fshati Prush, ku edhe u gjet “Audi” luksoz.
Sipas policisë, 39-vjeçari turk ka marrë me qira makinën “Audi” në Gjermani, të cilën e ka sjellë në Shqipëri dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ia kanë vjedhur në afërsi të një hoteli në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se ky shtetasi turk, ia ka dhënë automjetin Elvis Kosovës dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "R 8".Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. E., 39 vjeç, banues në Gjermani, dhe E. K., 38 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit J. H., 20 vjeç, banues në Prush. Shtetasi Y. E., ka marrë me qira një automjet tip "Audi", në Gjermani, të cilin e ka sjellë në Shqipëri dhe më pas ka bërë kallëzim të rremë se ja kanë vjedhur në afërsit të një hoteli në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, ja ka dhënë automjetin shtetasit E. K., dhe ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e tij, për qëllime përfitimi”, - njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.