Gazeta Si - Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Dodë Ricën, pronar i një rrjeti të lokaleve të striptizmit në Shqipëri dhe Kosovë, pas arrestimit të tij pak ditë më parë.
Rica, 47 vjeç, me origjinë nga Mirdita dhe banues në Tiranë, akuzohet për trafikim të qenieve njerëzore në Kosovë.
Për këtë arsye, Gjykata e Prishtinës kishte caktuar më parë masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.
Arrestimi i Ricës u krye në Durrës, pas denoncimeve të disa balerinave shqiptare dhe të huaja, të cilat kishin punuar më parë në një nga klubet e tij në Prishtinë.
Këto denoncime, të bëra ditë më parë, akuzojnë Ricën për trafikim të qenieve njerëzore dhe për sjelljen e tyre në mënyrë të jashtëligjshme për t’i punësuar në klubet e tij.
Pas denoncimit, autoritetet kosovare informuan menjëherë ato shqiptare për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Gjykata e Durrësit, këtë fundjavë e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij për qëllime ekstradimi në Kosovë, ku po procedohet për veprën penale të “Trafikimit të njerëzve,” sipas Kodit Penal të Kosovës.
Ndërkohë, Gjykata e Durrësit shpalli veten jokompetente për këtë çështje dhe vendosi që aktet të dërgohen në Gjykatën e Tiranës, e cila është kompetente për gjykimin e rastit me qëllim esktradimi.
Me një vendim të veçantë, Gjykata urdhëroi Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve Tiranë, që të sigurojë shoqërimin e Ricës në varrimin e nënës së tij në varrezat e Kombinatit, Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.