Gazeta Si - Në heshtje dhe kokëulur në brendësi të kafazit të xhamit, e ka pritur Erion Goxhara vendimin për masën e sigurisë "arrest në burg" të dhënë këtë të premte nga togat e zeza në Gjykatën e Tiranës.
Efektivi 46-vjeçar, i vetëdorëzuar në polici para dy ditësh, plagosi me armën e shërbimit inxhinierin e ERE-s, Lorenc Kosta, pasi dyshonte se bashkëshortja e tij kishte lidhje intime me të.
Avokatët kërkuan masë më të butë sigurie se "arresti në burg", me argumentin e tronditjes së rëndë psiqike.
LEXO EDHE:
- Dëshmia e policit Goxhara: S'doja ta vrisja Lorencin, më kërcënonte me heqje nga puna
- Para se të plagoste me armë Kostën, polici Goxhara takoi gruan dhe nipin e tij. Dyshohet se mes debateve ajo pranoi tradhtinë
Deri në këto momente, Goxhara po hetohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Për këtë të dytën, deri në momentin që do të provohet nëse arma e përdorur është e shërbimit ose jo. Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për ekspertizë të gjendjes psiqike.
Ngjarja u regjistrua më 19 gusht tek “Komuna e Parisit”, kur efektivi e qëlloi disa herë me armën e shërbimit inxhinierin e ERE-s, duke e plagosur rëndë në gjymtyrët e poshtme të trupit.
Pas vetëdorëzimit në policinë e Tiranës, 46-vjeçari është shprehur se Kostën e pa rastësisht teksa po drekonte me vajzën.
“Para tavolinës tonë kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Ai kaloi dy herë para tavolinës sime dhe më ngacmonte gjithmonë që përballeshim dhe më thoshte s’më bën dot gjë mua sepse unë të heq nga puna. Kam çuar diku vajzën dhe jam kthyer dhe kam qëlluar ndaj tij. Nuk kam dashur ta vras dhe prandaj qëllova poshtë. Nuk e kam bërë me paramendim. Kam përdorur armën e shërbimit që mbaja me vete”, ka thënë ndër të tjera Goxhara në dëshminë e tij në polici.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi pas një konflikti për motive xhelozie, që punonjësi i policisë, kishte me të plagosurin, pasi bashkëshortja e efektivit punonte në të njëjtin institucion me të dhe dyshohet se kishte krijuar një raport intim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.