Drejtësia

Tenderi për pajisjet elektronike, KQZ dorëzon në SPAK dosjen e plotë

Gazeta Si - KQZ ka dorëzuar në SPAK dokumentet e plota që Prokuroria e Posaçme kërkoi dy ditë më parë, në lidhje me tenderin për pajisjet elektronike të votimit dhe numërimit.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për nevojë të hetimeve që po zhvillohen, kërkon nga ana juaj dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës së prokurimit me nr.”REF-83073-12-23-2020 me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021*, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave”, shkruhet në kërkesën e SPAK.

SPAK ka nisur hetimet për dy tendera të dhëna nga KQZ për pajisjet e identifikimit biometrik në gjithë vendin, si dhe për votimin e numërimin elektronik të zgjedhësve (projekt pilot që u implementua në njësinë 10 në Tiranë) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Të dy tenderët dyshohet se janë fituar pa garë nga kompania "Smartmatic International Holding B.V”, vlera fituese e të cilëve është shumë pranë fondit limit.

Kërkesa e drejtuar ndaj KQZ-së, mban emrin e kreut të SPAK, Altin Dumani dhe është firmosur më datë 16 gusht 2024.

Konkretisht, SPAK ka kërkuar nga KQZ dokumentet e tenderit që mban datën 23 dhjetor 2020 për “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor”.

Po ashtu, bëhet fjalë dhe për një tender të dytë të dhënë po në vitin 2021 (mars) për 'Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave!'.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë