Gazeta Si- Ndërsa Tirana kishte shpallur me bujë para 2 muajsh fillimin e procesit të ekstradimit të Durim Bamit nga Emiratet e Bashkuara, lajmi nga Dubai se 45-vjeçari i shumëkërkuar i drejtësisë shqiptare është liruar nga qelia, rrëzoi çdo parashikim.
Drejtori i Policisë se Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha në një dalje për mediat këtë të mërkurë se nuk është liruar, por është ndryshuar masa e sigurisë. Që indirekt do të thotë se masa i është zbutur, edhe pse Rrumbullaku nuk specifikoi konkretisht.
Por pavarësisht deklaratës së kryepolicit të vendit, një nga personazhet e dyshuar të krimit të organizuar në Nikël, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”, duket se po fiton betejën me autoritetet shqiptare.
Të hënën e 10 qershorit 2024, Durim Bami u shoqërua nga policia e Emiratit të Dubait, pas një urdhër kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga zyra e Interpol Tiranës.
Dy ditë më pas, me 12 qershor, gjykata e Dubait, vendosi masën e sigurisë “60 dite burg” për të në zbatim të kërkesës për ekstradim nga shteti shqiptar.
Po atë ditë, Policia e Shtetit njoftoi se një nga njerëzit më të kërkuar në vend ishte arrestuar në Dubai dhe do të ekstradohej shumë shpejt drejt Shqipërisë. Madje, arrestimi i “të fortit të Niklës”, u “shit” si një sukses i madh nga autoritetet shqiptare.
Si Ministria e Brendshme, ashtu edhe ajo Drejtësisë, premtuan se do të kryenin të gjitha lëvizjet për ta ekstraduar Bamin nga Dubai, qoftë edhe duke tentuar deportimin e tij.
Fillimisht ishte Gjykata e Posaçme, e cila në qershor i dërgoi kërkesën e ekstradimit dhe dosjen kriminale për faktet penale të Durim Bamit autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Më pas, ishte ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili në 20 qershor tha se janë në kontakt me autoritetet policore të Emirateve të Bashkuara.
Balla theksoi se janë në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga SPAK për ekstradimin e Bamit.
“Dua ta them shumë qartë që jemi në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga Prokuroria e Posaçme, nga pala e Emirateve të Bashkuara. Mos harroni që edhe ata kanë ato procedurat e tyre gjyqësore. Unë jam i bindur se kjo është një qasje që Emiratet, apo Dubai në mënyrë të veçantë është një oaz që mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë jo vetëm shqiptare, por të shumë vendeve. Edhe autoritetet e këtij vendi mik e kuptojnë qartë, që në rastet si ai që ju përmendni, i kemi të gjitha instrumentet për ta tejkaluar dhe për ta vendosur jo vetëm këtë person, por edhe të tjerë si ky para drejtësisë shqiptare”.
Atë ditë, në krah i doli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. “... Për të gjithë personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar, drejtësia shqiptare nuk ka nevojë për marrëveshje ekstradimi, janë dhe prevalojnë vendimet gjyqësore të vendeve përkatëse”.
Në 1 korrik, Ministria e Drejtësisë dërgoi në rrugë shkresore dhe elektronike dosjen për ekstradimin e eksponentit të njohur të krimit në Shqipëri.
Përgjigja nuk vonoi nga pala arabe, e cila konfirmoi marrjen në dorëzim të dokumenteve, por pas 2 muajsh vendosi të refuzojë ekstradimin e Bamit, duke shfryrë deklaratat e autoriteteve shqiptare.
Dy muaj përpjekje që në fund u finalizuan me një dështim. As vizitat e shpeshta të ish-ministrit Balla në Dubai për çështje të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë, nuk ndikuan që një nga bosët e krimit të ekstradohej në Shqipëri.
Me mungesën e një marrëveshjeje zyrtare mes dy vendeve, koha në dispozicion dhe dokumentet nuk mjaftojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.