Gazeta Si - Për Zyhdi Shehun, autorin e vrasjes së Virxhil Veshos në një azil privat për të moshuar, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit shtrim i detyruar në psikiatri, për shkak të çrregullimeve psikologjike të 78-vjeçarit.
Po ashtu, togat e zeza, caktuan masën "arrest shtëpie" për dy infermieret, Glesantina Saraçi dhe Nazime Mulla, të cilat akuzohen se tentuan të fshihnin vrasjen e ndodhur në azilin e të moshuarve pak ditë më parë.
Autori i krimit, ka deklaruar para oficerëve të policisë, se e ka goditur 82-vjeçarin Vesho me bastun, pasi ky i fundit nuk i ishte përgjigjur nëse kishte njeri tjetër në dhomë.
“Në atë moment kam filluar ta godas në kokë dhe trup disa herë. Më pas i fola sërish duke i thënë nëse do flasë apo jo, aty mu përgjigj me dy-tre fjalë dhe e godita sërish me karrigen që gjendej aty. Nga ai moment nuk mbaj mend çfarë ndodhi”, ka deklaruar ai.
Sa i përket infermiereve ato akuzohen se kanë kryer veprime që kanë penguar zbulimin e së vërtetës, edhe pse i kanë mohuar akuzat.
Pasi i moshuari mbeti i vdekur nga goditjet me shkopin e hekurit nga shoku i dhomës, Zyhdi Shehi, dy gratë e kanë nxjerrë trupin dhe kanë pastruar gjakun, e më pas kanë njoftuar një agjenci funerale.
Ato kanë deklaruar se i moshuari humbi jetën pasi u rrëzua. Por pas këqyrjes së trupit të viktimës, agjencia funerale e ka kthyer trupin pas, pasi dyshonin se shenjat nuk ishin nga rrëzimi, por nga dhuna.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.