Gazeta Si - Ka një paralajmërim për mega-tërmet në Japoni dhe si pasojë kryeministri Fumio Kishida ka vendosur të anulojë një udhëtim në Azinë Qendrore. Paralajmërimi vjen nga shkencëtarët që supozojnë se një "mega-tërmet" mund të ndodhë në zonë.
“Si kryeministër me përgjegjësinë më të lartë për menaxhimin e krizave, kam vendosur që do të qëndroj në Japoni për të paktën një javë”, u tha Kishida gazetarëve.
Paralajmërimi për mega-tërmet vjen si pasojë e tërmetit me magnitudë 7.1 që goditi jugperëndimin e vendit një ditë më parë.
Është hera e parë që një alarm i tillë ngrihet që kur u prezantua një sistem i ri paralajmërimi pas tërmetit shkatërrues të vitit 2011, i cili shkaktoi një cunami vdekjeprurës dhe katastrofë bërthamore.
Kreu i qeverisë do të vizitonte Kazakistanin, Uzbekistanin dhe Mongolinë dhe kishte planifikuar të merrte pjesë në një samit që do të bashkonte pesë vende të rajonit.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA), thotë se rreziku i një tërmeti me përmasa shkatërruese rreth hendekut Nankai përgjatë bregut të Paqësorit, është papritmas më i lartë, duke lëshuar në mënyrë efektive paralajmërimin e parë të këtij lloji.
Paralajmërimi vjen pas tërmetit me magnitudë 7.1 të regjistruar në rajonin Kyushu, në anën jugperëndimore të arkipelagut në orën 16:42 me orën lokale (9:42 në Europë).
Për këtë, komisioni i përbërë nga ekspertë ftoi popullatën të përgatitet për çdo eventualitet.
Sipas vlerësimeve të qeverisë japoneze, ka një shans 70-80% që një tërmet me magnitudë 8 ose 9 ballë të ndodhë përgjatë kanalit brenda 30 viteve të ardhshme, me një numër të vdekjeve që mund të kalojë 320,000.
Pllaka Nankai është një depresion linear në dyshemenë e oqeanit që ndodhet në Nankaido, rajoni gjeografik detar në jug të Honshu, ishullit më të madh të Japonisë.
Zona - e cila shtrihet rreth 900 km larg bregut - dhe shkon pothuajse paralelisht me vijën mesatare tektonike japoneze, mbulon një çarje që është në origjinën e tërmeteve më shkatërruese të shekujve të fundit.
Në rast se një tërmet me magnitudë maksimale ndodh në Nankai, zona të mëdha nga Kanto në Kyushu, pritet të jenë subjekt i lëkundjeve të forta, me një probabilitet të lartë të cunamit përgjatë bregut të Paqësorit nga Kanto në Okinawa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.