Menaxhim

S’marrin parasysh kritikat e qeverisë. 10 bashki prag falimentimi, borxhet arrijnë deri në 340% të të ardhurave

Nga Gazeta 'SI' - Përveç se nuk kanë ulur borxhet e prapambetura, bashkitë në Shqipëri i kanë rritur ato në nivele të papërballueshme për buxhetin.

Sipas të dhënave vjetore të Ministrisë së Financave për vitin 2023 nuk janë më 4, por 10 bashki në gjendje alarmante me një total borxhi prej 4.8 mld lekë.

Fillimisht është bashkia Klos, borxhet e të cilës janë sa 339% e të ardhurave, ndjekur nga Memaliaj me 270%, Dibra 156%, Malësia e Madhe 139%, Puka, Peqini, Dimali, Cërriku me 120%, Kavaja dhe Tropoja me 110%.

Në vlerë nominale, borxhin më të lart e ka Kavaja me 794 mln lekë detyrime, ndjekur nga Tirana me 788 mln lekë.

Sipas raportit, borxhet janë rritur nga investime të pashlyera nga bashkitë, por edhe përshkak të keqmenaxhimit të taksave vendore dhe arkëtimit paeficiencë të tyre.

Prej kohësh qeveria Rama bën kritika publike për bashkitë duke i kërkuat atyre përmirësimin e mbledhjes së taksave.

Vitin e shkuar, MF vlerësonte se 8 bashki kanë probleme financiare dhe vetëm 4 ishin në vështirësi.

Firmosur nga ish-ministrja e Financës, Delina Ibrahimaj, një vendim i ri thekson se qeveria qendrore nuk do të paguajë më borxhet e pushtetit lokal dhe se ato do të rikategorizohen.

Sipas ligjit, bashki me probleme financiare quhen ato me detyrime të papaguara sa 15% e shpenzimeve vjetore në muajin e caktuar apo mbi 20% e muajit pasues. Në vështirësi financiare quhen bashkitë me detyrime 20-25% të shpenzimeve vjetore dhe në vështirësi serioze financiare kur borxhet arrijnë 80% të shpenzimeve. Edhe pse qeveria pati njoftuar se nuk ka më bashki në rrezik falimentimi, në ligj njihet edhe kategoria me paaftësi paguese, kur detyrimet kaloj 130% të shpenzimeve.

Krerët e bashkive analizojnë situatën financiare të njësisë dhe ia raportojnë atë ministrisë,  bashkë me arsyet e vonesave. Në rast se ta bëjë vetëm me detyrime të vonuara, bashkitë do të marrin plan masash për ‘disiplinim buxhetor’ që nga mbledhja e taksave deri tek ulja e shpenzimeve.

Në rast se bëhet fjalë për një bashki me paaftësi paguese qeveria emëron atje një administrator për të nxjerrë nga situata bashkinë. Administratori bashkë me kryetarin e njësisë ka kohë 2 vite të rikuperojë financat e bashkisë.

Bashkitë mund të përdorin asetet vendore për të shlyer borxhet, por nuk mund të marrin borxhe të reja. Në çdo rast thotë ligji, duhet të sigurohet se pavarësisht borxhit, bashkitë janë ende në gjendje të kryejnë shërbimet minimale publike

Në një tjetër vendim, qeveria vendosi të ndryshojë formulën e shpërndarjes së buxheteve për bashkitë duke u mbështetur në të dhënat e popullsië për njësi, sipas Censit 2023. Gjithsesi, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku theksoi se asnjë bashki nuk do të marrë më pak para se një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë