Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka lënë në burg tre të arrestuarit që trafikonin armë zjarri nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe.
Një ditë më parë, Policia e Tiranës arrestoi tre persona, Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj.
Gjatë zhvillimit të seancës këtë të premte, të akuzuarit nuk kanë dhënë shpjegime. Ndërkaq, si pjesë e këtij grupi kriminal janë shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë. Ata jetojnë në Angli dhe ndaj tyre Gjykata e Posaçme ka vendosur masën “arrest në burg” në mungesë.
Gjatë operacionit “Inkorporimi”, ku pjesë ishte edhe SPAK, u sekuestruan veshje kamuflazhi, si ato të forcave speciale, 4 automjete, 8 celularë, karta SIM, 2 laptop dhe 2 thika.
Gjithashtu bëhet e ditur se hetimi kishte nisur para një viti, ndërsa të enjten u kapën 8 pistoleta në Portin e Durrësit që do të trafikoheshin në Britaninë e Madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.