Gazeta Si - GJKKO ka caktuar vazhdimin e masës së sigurisë "arrest me burg" për kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i cili u arrestua nga SPAK pas zbërthimit të aplikacionit "Sky Ecc", si i lidhur me grupet kriminale.
Më herët, me 8 vota pro në KLP, Aurel Zarka është pezulluar nga detyra e drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës. Vendimi i KLP-së erdhi pas arrestimit të Zarkës me urdhër të SPAK, i dyshuar për ushtrim ndikim të paligjshëm në disa raste.
Së bashku me Zarkën, u arrestuan dhe ish-oficerja e Policisë Gjyqësore pranë Krimeve të Rënda, avokati Radovan Çela dhe shtetasi Astrit Vladi.
LEXO EDHE:
- Arrestimi i kryeprokurorit të Vlorës, SPAK: Aurel Zarka merrte ryshfet për të ndikuar te gjyqtarët e prokurorët. Ndërhyri edhe te hetimi pasuror i Suel Çelës
- Përgjimet nga Belgjika për 3.4 milionë eurot në dosjen ‘Toyota Yaris’ zbuluan kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka
SPAK thotë se nga hetimet rezultoi që herë në bashkëpunim herë jo, kishte ndërhyrë dhe ishte korruptuar bashkë me zyrtarë të drejtësisë për çështje hetimore.
Zarka bashkë me ish-oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladin, akuzohen se kanë ndërhyrë, marrë ryshfet dhe dhënë ryshfet funksionarëve në 8 çështje penale, 4 nga të cilat lidhen me dosjen “Toyota Yaris”.
Kjo dosje lidhet me ngjarjen e vitit 2018, kur ish-prokuroria për Krimet e Rënda hetoi rastin e sekuestrimit të një shumë prej 3.4 milionë euro të bllokuara në Portin e Durrësit, në bordin e një automjeti “Toyota” të mbërritur nga Belgjika.
Policia arriti të ekzekutonte vetëm një nga masat e sigurisë të lëshuara, atë për Zarkën, pasi 3 të tjerët rezultuan të ishin jashtë shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.