Dhjetëra ish-anëtarë të Opus Dei kanë ngritur akuza se grupi targeton fëmijët dhe të rinjtë
Individët, që sapo janë shkëputur nga grupi konservativ Katolik, thanë për Financial Times se ata ishin rekrutuar që kur ishin fëmijë dhe janë dëshmitarë se grupi ka targetuar të miturit.
Shumë thanë se të rinjtë që donin të anëtarësoheshin ishin po ashtu të gatshëm për të bërë praktika të dhimbshme “të mortifikimit trupor”.
Ish-anëtarët, që kërkojnë anonimitet thanë se fëmijët janë “joshur” me anë të klubeve për të rinj, shkolla dhe programe komuniteti, të lidhura me organizatën në SHBA dhe Europë.
“Çdo gjë bëhet me një plan rekrutimi”, tha një nga të larguarit që dikur drejtonte një klub të rinjsh në Kolumbi.
“Mosha ideale është 14 e gjysmë. Ata targetojnë njerëzit e dobët, njerëzit që duan diçka. Pjesa e rëndësishme është se ata të bëjnë të ndihesh pjesë e grupit. Dhe kur je i ri plot me pasiguri, kjo gjë ka shumë ndikim”.
Anëtarët e Opus Dei i përkushtohen një jete intensive me punë, lutje dhe asketizëm, në përputhje me mësimet e Josemaría Escrivá, prifti spanjoll që krijoi organizatën në vitin 1928.
Që nga viti 1982 statutet e Opus Dei, të miratuara nga Vatikani kanë përjashtuar anëtarësimi e personave nën 18- vjeç, të paktën formalisht. Por, fëmijët 14 dhe më të mëdhenj mund të bëhen “kandidatë të rinj” duke i shkruar një letër kreut të Opus dhe duke kërkuar të pranohen. Procesi brenda organizatës njihet si “fishkëllimë”.
Opus Dei ka këmbëngulur se nuk i ka detyruar fëmijët të “fishkëllejnë” dhe se procesi kërkon mbikëqyrje nga prindërit.
Gjithsesi, një tjetër ish-anëtar thotë se kur ai ishte në një event të organizuar nga Opus Dei, ai dëgjoi të rritur që bisedonin për rekrutimin e adoleshentëve.
“Kjo ishte ajo që më bëri të largohesha nga Opus Dei. Ata morën listën e një klubi futbolli dhe analizuan të gjithë emrat e djemve në ekip dhe se shanse kishte gjithsecili për anëtarësim”, thotë ai.
Më shumë se një duzinë ish-anëtarë thanë se të miturit inkurajoheshin gjithashtu të adoptonin praktika të tilla si mortifikimi trupor, në të cilin anëtarët mbajnë një zinxhir metalik me thumba të quajtur “cilice” rreth kofshës ose përdorin një kamzhik me litar të quajtur “disiplinë” në trupin e tyre.
“Menjëherë pas shkrimit të letrës, drejtori i qendrës ua jep atyre djemve. Me fjalë të tjera, disa fëmijë fillojnë t’i përdorin ato para se të mbushin 15 vjeç, “tha ish-zëvendësdrejtori i klubit kolumbian të djemve.
Një ish-anëtar nga Kenia, i cili u bashkua zyrtarisht në vitin 2006, tha: “Unë u inkurajova të përdorja cilic-in dhe disiplinën që kur isha 15 vjeç. Ne duhej t’i fshihnim nga familja dhe miqtë tanë.”
Opus Dei tha se përdorimi i cilic dhe disiplinës nga të miturit “ka ndodhur në të kaluarën”, por ishte “i befasuar” nga pretendimet se praktika ishte e vazhdueshme. Nuk kishte asnjë “rregull të qartë” për këtë çështje, por një “ndryshim i mentalitetit” ndodhi dekada më parë, tha ai.
Grupi ka 95 mijë anëtarë në të gjithë botën, çereku i të cilëve janë të pamartuar dhe pa marrëdhënie seksuale. Beqarët janë ata që kanë postet më të larta në Opus.
Ish-anëtarët thonë se kjo është arsyeja pse organizata kërkon të rekrutojë të rinj.
“Është një proces joshje që nis në moshën 14 vjec. Si mund të jetë në rregull t’i thuash një 14 vjeccareje të qëndrojë e pamartuar dhe të mos kryejë marrëdhënie?”, thotë një ish-anëtare nga Spanja që u bë pjesë e grupit kur ishte 14 dhe e la para 9 vitesh.
Një tjetër anëtar spanjoll që iku në 2016-n tha: Rekrutimi i minorenëve ka qenë i vazhdueshëm gjatë 42 viteve që unë kam qenë në Opus. Madje ka qenë intensive, i planifikuar, abuziv dhe i paskrupullt”.
Në një deklaratë, Opus Dei tha: Ne mohojmë akuzat se rekrutojmë të mitur.
Akuzat për rekrutimin e fëmijëve janë më të fundit në një seri polemikash që rrethojnë grupin katolik konservator, i cili prej kohësh ka tërhequr vëmendjen mbi fshehtësinë e tij të supozuar dhe ndikimin e anëtarësimit të tij në qarqet fetare, politike dhe të biznesit.
Në vitin 2021, 43 gra në Amerikën Latine akuzuan Opus Dei në një ankesë me shkrim drejtuar Vatikanit për trafikim dhe shfrytëzim, pretendime që po hetohen nga autoritetet argjentinase. Gratë ishin “ndihmëse”, një kategori anëtarësh vetëm për femra që i përkushtohen punëve shtëpiake në qendrat Opus Dei.
Në fillim të këtij viti një hetim i FT zbuloi akuza të ngjashme në Europë, SHBA dhe Afrikë. 16 gra thanë se ishin detyruar si vajza të reja me prejardhje me të ardhura të ulëta në dekada shërbimi të papaguar në shtëpi.
Opus Dei mohoi me forcë pretendimet për shfrytëzim dhe kontroll psikologjik. Grupi theksoi ndalimin zyrtar për anëtarësimin e nën-18-vjeçarëve dhe tha se dëshira për t’u bashkuar u riafirmua shumë herë gjatë disa viteve përpara se një person të pranohej ligjërisht.
Por ish-anëtarët që dolën përpara në përgjigje të hetimit të FT – duke përfshirë edhe tre asistentë të tjerë – thanë, në praktikë, këto rregulla u përmbysën. Më shumë se 20 individë thanë se ishin përfshirë në mënyrë aktive në grup si fëmijë pas vitit 1982. Të tjerë thanë se kishin parë që Opus Dei synonte fëmijët në 10 vitet e fundit.
Ata thanë se individët trajtohen si anëtarë sapo të bëhen “kandidatë të rinj”.
“Nga përvoja ime, 14 vjeç e gjysmë ishte mosha minimale për të kërkuar pranim. Nuk kishte asgjë ligjore për të kërkuar pranim në atë moshë, por kjo ishte arsyeja që ju i kishit thënë ‘po’ Zotit,” tha një ish-anëtar nga Britania e Madhe që u largua në fillim të viteve 2000.
“Pra, cilado qoftë ana ligjore, formalitetet, nuk kishin rëndësi: kishe dhënë zemrën. Dhe pastaj presioni fillon për të qëndruar i vërtetë.”
Ish-anëtari nga Spanja që u largua në vitin 2015 shtoi: “Në brendësi, ne të gjithë e dimë – mosha që kemi në mendje është 14 vjeç e gjysmë dhe kjo nuk shkruhet askund. Ata duan që njerëzit të bashkohen para se të fillojnë të ndikohen: puberteti dhe të qenit i rritur, të dalin me miqtë, të kenë marrëdhënie seksuale.
Ish-anëtarët thanë se pas “fishkëllimës” si të mitur pritej të ndiqnin orare strikte ditore të meshës, lutjes, meditimit dhe studimit të parimeve të Opus Dei.
“Ligjërisht, ju nuk jeni anëtar. Por ju filloni të jetoni me gjithë këtë presion dhe detyrim – që nëse largoheni do të shkoni në ferr sepse po refuzoni thirrjen e Zotit, “tha ish-zëvendësdrejtori i klubit të të rinjve në Kolumbi.
“Kandidatëve të rinj u thuhet qartë se nuk janë anëtarë të Opus Dei,” tha zëdhënësi i organizatës.
“Ne po sigurojmë gjithashtu që kandidatët tanë të rinj të jenë mjaft të pjekur për të marrë vendime në lidhje me profesionin e tyre përmes pëlqimit të informuar.”
Zëdhënësi tha se “çdo detyrim” do të ishte “i neveritshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me udhëzimet tona”.
Institucione të tilla si klubet e të rinjve dhe shkollat e mikpritjes të cilave Opus Dei u ofron drejtim shpirtëror njihen si “punët e korporatës”. Ato nuk janë në pronësi të vetë Opus Dei, por zakonisht nga organizata bamirëse të krijuara nga anëtarët e saj.
Ish-anëtari në Kolumbi tha se në dy vitet që ai punoi në klubin e të rinjve kohët e fundit, pesë djem u rekrutuan si anëtarë beqarë nën presion.
“Ata fillojnë të thonë, ‘OK, ejani me ne për t’u lutur’ dhe më pas sa më shumë djali të lutet aq më mirë janë. Dhe pastaj i sugjerojnë të shkojë dhe të flasë me priftin në rrëfim. Kështu që djali merr gjithë këtë vëmendje dhe fillon të ndihet sikur kjo është ajo që ai dëshiron. Dhe ata fillojnë ta manipulojnë dhe bëjnë presion ndaj tij”, tha ai.
Në Peru, një ish-drejtoreshë e një shkolle mikpritjeje për vajza tha për FT se ajo besonte se qëllimi kryesor i shkollës ishte të rekrutonte asistente, gratë që kryejnë punë shtëpiake në qendrat Opus Dei.
Ajo tha se nuk kishte “interesim” për të përmirësuar ofertën e arsimit, por “shumë interes për indoktrinimin” e nxënësve.
“Ata thanë se qëllimi ishte t’u jepnin një arsim, t’i fuqizonin, por realiteti që pashë ishte i kundërt. Ata po merrnin punë falas për të punuar në qendrat e tyre,” tha ajo. Ajo u largua nga Opus Dei në 2021 pasi përpjekjet e saj për të reformuar shkollën u injoruan.
Ish anëtarët thanë se Opus Dei kishte reformuar praktikat e saj në disa vende shumë më tepër se në të tjera. Dy ish-anëtarë në SHBA thanë se ishte e qartë për ta se ata nuk ishin anëtarë të plotë, ose nuk ishin në gjendje të vepronin si të tillë, deri në moshën 18-vjeçare.
Një tjetër ish-anëtare nga SHBA, megjithatë, tha se ajo kishte “fishkëllyer” në moshën 16-vjeçare pasi ndoqi një kurs për të rinjtë Opus Dei në vitin 2013. “Ndjeva kaq shumë presion saqë m’u desh të bashkohesha menjëherë, sa nuk mund të prisja. ”
Ajo tha se organizata mori kontrollin e financave të saj. “Ata kërkonin deklaratat e mia bankare çdo muaj dhe sa herë që merrja para për të blerë tampona apo shampo, duhej t’u jepja edhe faturat. E gjithë kjo ishte e gabuar për mua, sepse më dukej sikur nuk kisha privatësi.”
Një ish-anëtar i SHBA-së, i cili u largua këtë vit, tha: “Një gjë që mund të përmirësohet është që reformat të bëhen më zyrtare: Kështu ka qenë dikur. Kjo është ajo që ne po bëjmë tani, sepse duam ta shmangim atë përsëri.”
Pesë asistentë të cilët folën me FT si pjesë e hetimit në fillim të këtij viti po ndjekin pretendimet civile për lëndime personale në Irlandë dhe MB. Një grua në Irlandë gjithashtu ka raportuar në polici akuzat e saj, të cilat datojnë nga fundi i viteve 1970 deri në mesin e viteve 1980. Policia irlandeze nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Zëdhënësi i Opus Dei tha se grupi nuk mund të komentonte mbi çështjet ligjore në vazhdim. Vatikani nuk iu përgjigj një kërkese për koment./FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.