Drejtësia

Operacioni i SPAK / Zbardhen 6 vrasje, mes tyre edhe ‘masakra e Bradasheshit’ në 2018-ën

Gazeta Si - Gjashtë vrasje janë zbardhur nga SPAK në Elbasan, Rrogozhinë dhe Berat në kuadër të operacionit të fundit “Plumbi i Artë 2”, ku janë arrestuar dhe shpallur në kërkim persona me precedentë kriminalë, gjyqtarë dhe zyrtarë burgjesh.

Ajo që spikat, është e ashtuquajtura “Masakra e Bradasheshit” në vitin 2018, ku u ekzekutuan Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk.

Kjo masakër brenda një kohe të shkurtër prodhoi edhe 6 të vrarë të tjerë, ekzekutime, të cilat dhanë për grupin hetues edhe një panoramë më të qartë të asaj që po ndodhte në qytet. Sipas grupit hetues, dy vëllezërit Alibej drejtonin një grup të trafikut të drogës nga Holanda.

Ndërsa dyshoheshin për trafikim dhe shpërndarje lënde narkotike në veri dhe në qendër të Italisë, aty ku Endrit Alibej njihej me nofkën ‘Tino’ dhe ‘Tarzani’.

Në atë kohë u tha se një sasi prej 50 kg kokainë që u zhduk në Britaninë e Madhe dyshohej të ishte motivi kësaj vrasje të trefishtë.

Vrasja e Klevis Kapllanit

Klevis Kapllani u gjet i vrarë mëngjesin e 15 shtatorit të vitit 2020 nga një banor i zonës, i cili kishte dalë për të grumbulluar qumështin.

Vrasja e 33-vjeçarit kishte ndodhur gjatë natës, 14 shtator dhe se ishte ekzekutuar me një armë me silenciator.

Viktima ishte me precedent penal dhe i dënuar në Itali për trafik droge dhe dy vite më parë, pasi kishte shlyer dënimin ishte kthyer në Shqipëri.

Kapllani ishte baba i një fëmije të mitur, ndërsa vrasja atëherë u tha se dyshohej të ketë ndodhur për hakmarrje për shkak të drogës. Dyshohet se Kapllani kishte njohje dhe me të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani.

Vëllezërit Baho

SPAK ka zbardhur dhe atentatin e bërë ndaj dy vëllezërve Baho në Peqin, ku njëri prej tyre Klevi Baho, mbeti i vdekur mesnatën e 1 korrikut 2019 ndërsa vëllai tjetër, Eraldo (Aldo)  Baho, u plagos rëndë.

Klevi Baho, kishte vetëm një muaj që kishte dalë nga burgu në Belgjikë, pasi drejtësia e këtij vendi e kishte dënuar për akuzën e vjedhjes kur iu bë atentat.

Dyshohet se  një person i është afruar Klevi Bahos, duke i thënë “…Ti je Klevi…? 22-vjeçari është përgjigjur duke i thënë:“…Nuk jam unë…”.

Është larguar dhe në atë moment i ka telefonuar vëllait të tij, i cili ka mbërritur menjëherë me automjetin tip “Audi”.

Të dy kanë hipur në makinë dhe janë larguar në drejtim të banesës së tyre që ndodhet më shumë se dy kilometra larg nga rruga nacionale.

Sapo dy vëllezërit kanë marrë rrugën drejt shtëpisë, pas tyre është vënë një tjetër automjet, një “Benz”, i cili ka nisur të qëllojë me armë teksa makinat ishin në ecje.

Me plumba në kokë dhe trup, Klevi Bako ka mundur të dalë nga makina, ndërsa vëllai i tij ka mbetur aty dhe ndihmën e parë ja kanë dhënë familjarët që dolën menjëherë pasi dëgjuan të shtënat.

Të tjerat

Nga operacioni është zbardhur edhe vrasja e Andi Zylyfit dhe plagosja e mikut të tij, Ardit Uruçi, e ndodhur në Dhjetor 2019 në Peqin.

Zylyfi dhe Uruçi u qëlluan me breshëri automatiku sapo dolën nga një lokal dhe hipën në makinën e tyre. Pista kryesore e hetimit ishte ajo e hakmarrjes për shkak të lidhjeve familjare që viktima 26-vjeçari,

Zylyfi kishte lidhje me Endrit Alibeaj, i cili u ekzekutua në rrethrrotullimin e Bradasheshit bashkë me dy persona të tjerë.

SPAK ka zbardhur dhe atentatin e mbetur në tentativë ndaj biznesmenit Irfan Hazizi në nëntor të vitit 2020 në Berat para një karburanti.

Ngjarja ndaj biznesmenit ka dyshime të ketë lidhje me vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë