Drejtësia

Luftë brenda drejtësisë / Kush po çedon me filtrin e vettingut? KPK e kaloi, KLP e zgjodhi si prokuror të posaçëm, por SPAK nuk e ‘certifikon’ Ndini Tavanin (miratohet Bledar Maksuti)

Nga Gazeta Si - Këshilli i Lartë i Prokurorisë lajmëroi një axhendë me katër pika të mërkurën ku ra në sy emërimi në detyrë i dy prokurorëve për në SPAK. Në një situatë tjetër kjo do të ishte një ditë e zakonshme rutine për KLP.

Por jo për mbledhjen e sotme.  

Sipas renditjes paraprake të bërë nga KLP, dy kandidatët me më shumë pikë ishin Anita Jella dhe Ndini Tavani.

Pas publikimit të rendit të ditës për mbledhjen e së mërkurës, Tavani (referuar një letre dërguar prej tij)  u njoh me faktin se ishte skualifikuar nga gara dhe se Këshilli do të kalonte për miratim emrin e prokurorit Bledar Maksuti, i renditur pas tij në pikëzim.

Skualifikimi i Tavanit është bërë nga një Komision i Posaçëm për verifikimin e figurës i ngritur nga SPAK.

Vetë Tavani mësohet se ka kërkuar pezullimin e mbledhjes, gjë që nuk ka ndodhur. KLP (me tetë anëtarë) ishte mbledhur dhe kishte kaluar pikën e parë të rendit të ditës, emërimin e Anita Jellës pë në SPAK. Kishte rrezuar emrin e Ndinit, dhe emeruar po me tetë vota kandidatin e përfshirë në garë së fundmi, Bledar Maksuti.

Sipas KLP, Maksuti plotësonte dy kushtet kryesore verifikim pasurie dhe pastërti figure për të ushtruar detyrën në SPAK. Që indirekt do të thotë se nga kontrolli i SPAK, Ndini Tavani nuk kishte plotësuar kushtet e mësipërme.

Atëherë lind pyetja se kush ka të drejte dhe kush ka çeduar në filtrin e kalimit të vettingut për Ndini Tavanin? KPK? Argumentimi i KLP qe e kishte kaluar paraprakisht por qe sot ndryshoi votim? Apo SPAK?

SPAK filtroi emrin e Ndini Tavanit përmes një komisioni të Posaçëm për verifikimin e figurës që përbëhet nga 2 prokurorë të SPAK, një gjyqtar i GJKKO, një punonjës financiar dhe një agjent i BKH

Prokurori Ndini Tavani në të kaluarën ishte përfaqësuesi i akuzës që dërgoi në gjyq ish-ministrin Spiro Ksera.

Ai njihet dhe si prokurori që hetoi pas tragjedisë së 21 janarit zyrtarë të lartë për zhdukjen e pamjeve filmike në Kryeministri.

Në mbledhje, të mërkurën KLP miratoi gjithashtu me shumicë votash pezullimin nga detyra të prokurorit të Vlorës Aurel Zarka

Rendi i ditës për seancën e KLP ditën e mërkurë:

Diskutimi / miratimi i projektaktit “Për emërimin në detyrë si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të zonjës Anita Jella”;

Diskutimi / miratimi i projektaktit “Për moscaktimin në detyrë si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të zotit Ndini Tavani”;

Diskutimi / miratimi i projektaktit “Për emërimin në detyrë si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të zotit Bledar Maksuti”;

Diskutimi / miratimi i projektaktit “Për pezullimin nga detyra të prokurorit Aurel Zarka”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë