Drejtësia

Akuza për trajtim jo të duhur dhe transferim pacientësh te privati, GJKKO lë në fuqi masat për mjekët e Onkologjikut, avokati i Gashit: Ka 50 pacientë për të kuruar, po e pengoni

Mjekët e repartit Onkologjik në QSUT, Edmond Gashi, onkologia Alketa Pere, nëndrejtoresha Brikena Qirjazi dhe katër zyrtarët shtetërorë e privatë dolën sot për masë sigurie në GJKKO. GjKKO ka lënë në fuqi

masën "Arrest shtëpie" për mjekun Edmond Gashi dhe për farmacistin Florian Marku. Mjekje Alketa Pere, ish-zv.drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi, koordinatori i Onkologjikut, Emiljano Lela, Halil Gashi administrator i klinikës Megis dhe ish-specialistja Drilona Kishta janë lënë në masën detyrim paraqitje.

Ndërkohë avokati i mjekut Gashi tha për mediat se kërkuan masë më të lehtë se ajo arrest në shtëpi, pasi mjeku Gashi ka 50 pacientë në pritje që duhet të marrin kurim.

“Klienti im Edmond  Gashi kërkoi në gjykatë masë më të butë sigurie, për shkak se ka pacientë për të trajtuar. Janë 50 pacientë të cilëve u ka dalë biopsia dhe duhet të marrin kurim nga mjeku i tyre. Masa ‘arrest në shtëpi’ e pengon të shkojë në klinikën private, atje ku ka aparaturat”, tha avokati Xhoi Nela.

SPAK ka nisur edhe hetimin pasuror ndaj tyre. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga hipotekat dhe bankat e nivelit të dytë informacion për asete apo pasuri për të gjithë mjekët dhe zyrtarët e Onkologjikut.

Nga hetimi i kryer nga prokuroria, ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private.

Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Të qetë dhe duke folur në telefon, këtë herë mjekët e akuzuar kanë zgjedhur të futen në SPAK pa u kthyer përgjigje gazetarëve ndërkohë që kur kanë dalë pas disa orësh kanë humbur qetësinë, duke shtyrë mikrofonët e gazetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë