Kamala Harris duke qeshur pas konfirmimit të kandidaturës së saj për zv/presidente, në qytetin e saj të lindjes, Oakland, në Kaliforni, më 2019.
Harris, 59 vjeçe, është gruaja e parë me ngjyrë që ka shërbyer si kryeprokurore e Kalifornisë, aziatikojugorja-amerikania e parë dhe afro-amerikania e dytë që është zgjedhur në Senatin amerikan, dhe gruaja e parë, afro-amerikanja e parë dhe aziatiko-amerikanja e parë zv/presidente e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u tërhoq nga gara për president, duke mbështetur zv/presidenten e tij, Kamala Harris, për t’u bërë kandidate e Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të 2024-tës. Harris tashmë ka hyrë në histori si gruaja e parë me ngjyrë që shërben si zv/ presidente e SHBA-së. Dikur avokate, kryeprokrurore shtetërore dhe senatore, Harris ka pasur gati katër vjet për ta dëshmuar veten në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Këtu është jeta e saj, e treguar me fotografi./REL/
Harris, vajzë e një nëne indiane dhe e një babai xhamaikan, kujtoi prindërit e saj përmes një postimi në Instagram, më herët këtë vit. “Nëna ime, Dr. Shyamala Gopalan, kishte dy qëllime në jetë: ta shëronte kancerin në gji dhe të na rriste, mua dhe motrën time. Ajo më mungon çdo ditë, dhe e kujtoj tërë kohën. Jam shumë krenare që jam vajza e saj. Urima Dita e Nënës”.
Më 17 shkurt 2011, presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama (në mes), duke përshëndetur ngrohtësisht kryeprokuroren e Kalifornisë, Harris (majtas), teksa zëvendësguvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom (i dyti nga e majta), dhe kryetari i San Franciskos, Edwin Lee (djathtas), shikonin. Harris nisi karrierën e saj si prokurore qarku në San Francisko, ku shërbeu nga viti 2004 deri më 2011, para se të emërohej kryeprokurore e Kalifornisë .
Sa ishte kryeprokurore e Kalifornisë (2011-2017), Harris u përqendrua mbi çështje si reforma në drejtësinë penale, kriza e hipotekave, mbrojtja e mjedisit, dhe barazia gjinore.
Harris tërhoqi vëmendje kombëtare sa ishte kryeprokurore, kur mbajti fjalim në Kuvendin Kombëtar të Demokratëve në Sharlot, Karolinë e Veriut, më 5 shtator 2012. Zgjedhja e saj si folëse vuri në pah rritjen e ndikimit të saj brenda partisë dhe potencialin e saj si udhëheqëse e ardhshme brenda Partisë Demokratike.
Harris duke përshëndetur pjesëmarrësit në Paradën e Krenarisë në San Francisko, më 30 qershor 2013. Mbështetëse e zëshme e komunitetit LGBT, Harris paraqiti një mendim pranë Gjykatës Supreme të SHBA-së, duke argumentuar se Propozimi 8 (një propozim i paraqitur në referendum dhe i miratuar më 2008, që ndalonte martesën mes gjinisë së njëjtë) duhej të shfuqizohej. Veprimet e saj kontribuuan në hedhjen poshtë nga Gjykata Supreme të apelit mbi baza procedurale më 2013, duke legalizuar praktikisht martesën mes gjinisë së njëjtë në Kaliforni.
Atëherë kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Holder (në mes), i shoqëruar nga Harris (majtas), asokohe kryeprokurore e Kalifornisë, teksa fliste para të diplomuarve nga programi Alternativat ndaj Dënimeve, në Gjykatën amerikane të Qarkut në Los Anxhelos, Kaliforni, më 24 tetor 2014.
E njohur për pyetjet e saj të mprehta gjatë seancave në Senat, senatorja e atëhershme nga Kalifornia (2017-2021) e bombardoi me pyetje kandidatin e propozuar nga presidenti Donald Trump për gjyqtar të Gjykatës Supreme, Brett Kavanaugh, gjatë seancës së shtatorit të 2018-tës, në Komisionin për Drejtësi të Senatit, për konfirmimin e tij në vend të gjyqtarit të pensionuar, Anthony Kennedy. Kavanaugh u konfirmua në Gjykatën Surpreme si gjyqtar i asociuar, më 6 tetor, me 50 vota për, dhe 48 kundër.
Harris, e fotografuar me senatorin Cory Booker (demokrat nga Nju Xhersi), në një seancë të Komisionit për Drejtësi të Senatit, më 16 qershor 2020, ishte përkrahëse e fuqishme e reformës gjithëpërfshirëse në polici, pas vrasjes së George Floydit dhe protestave mbarëkombëtare kundër brutalitetit policor.
Ish-nënpresidenti Joe Biden (majtas) duke u sfiduar nga asokohe senatorja Harris për kundërshtimet e dikurshme të tij ndaj masave për përfundimin e ndarjes racore në shkolla, në vitet e ’70-ta. “Ka qenë një vajzë e vogël nga Kalifornia, e cila ishte në klasë të dytë në një shkollë të integruar publike, dhe ajo shkonte në shkollë me autobus çdo ditë. Ajo vajzë e vogël isha unë”.
Harris, e fotografuar me Bidenin, pasi të dytë pranuan nominimin e demokratëve në Miluaki, Uiskonsin, më 20 gusht, për të përfaqësuar partinë e tyre si kandidatët për president, përkatësisht nënpresidente, në zgjedhjet e vitit 2020.
Harris, e fotografuar me Bidenin gjatë fushatës zgjedhore, në shkollën e lartë Alexis Dupont, në Uilmington, Delauer, në gushtin e 2020-tës. Kjo ishte paraqitja e tyre e parë e përbashkët, pasi Biden e zgjodhi atë për të garuar së bashku në zgjedhje.
Një vajzë qëndron pranë pikturave të presidentit të zgjedhur, Biden, dhe nënpresidentes së zgjedhur, Harris, të ekspozuara në një rrugë në Mumbai, Indi, më 8 nëntor 2020. Përveç se është nënpresidentja e parë afrikano-amerikane, Harris u bë, po ashtu, nënpresidentja e parë aziatiko-amerikane.
Harris duke bërë betimin si nënpresidente e SHBA-së, teksa bashkëshorti i saj, Doug Emhoff, mbante një Bibël gjatë inaugurimit të Bidenit si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, para ndërtesës së Kongresit amerikan, në Uashington, më 20 janar 2021.
Harris (majtas) dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi, duke mbajtur një flamur ukrainas me nënshkrime, të cilin e kishte sjellë nga Bahmuti presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fjalimit të tij në Kongresin amerikan, më 21 dhjetor 2022.
Harris duke përqafuar Bidenin pas një fjalimi për përkujdesjen shëndetësore, në Karolinën e Veriut, më 26 mars 2024. Harris ka dalë më në pah pas paraqitjes së dobët të Bidenit në një debat televiziv me Trumpin.
Harris duke duartrokitur teksa kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson (republikan nga Luiziana) dëgjonte Bidenin duke mbajtur fjalimin e tij të përvitshëm si president para Kongresit, më 7 mars 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.