Nga Gazeta ‘Si’– Agjencia e lajmeve, “Reuters”, dhe kompania për hulumtime dhe konsultime, “Ipsos”, kanë nxjerrë një sondazh të ri rreth mbështetjes që gëzojnë dy kandidatët për president të SHBA-së, Donald Trump dhe Joe Biden.
Sipas anketës, amerikanëve u është shtuar shqetësimi se zgjedhjet e 5 nëntorit mund të nxisin më shumë dhunë politike.
Sipas sondazhit të zhvilluar për dy ditë, kandidati republikan për president, Donald Trump, gëzon pak më shumë përkrahje se presidenti i tanishëm, Joe Biden – 43 me 41 për qind, dallim që ishte brenda margjinës së gabimit prej 3 për qind, duke sugjeruar se atentati ndaj Trumpit nuk kishte shkaktuar ndryshim të madh të bindjeve të votuesve, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, 80 për qind e votuesve, përfshirë nivel të ngjashëm në mesin e demokratëve dhe republikanëve, thanë se ata bien dakord me deklaratën që “vendi po del jashtë kontrollit”.
Në anketë morën pjesë 1.202 të rritur amerikanë në pjesë të ndryshme të SHBA-së, përfshirë 992 votues të regjistruar.
Rreth 84 për qind e votuesve që morën pjesë në anketë thanë se ishin të shqetësuar se ekstremistët do të kryenin akte dhune pas zgjedhjeve, shifër dukshëm më e lartë në krahasim me sondazhin e kaluar nga agjencia “Reuters”dhe kompania “Ipsos” në maj, kur 74 për qind e votuesve e kishin këtë frikë.
Rreth 67 për qind e pjesëmarrësve në sondazhin e ri thanë se ishin të shqetësuar për aktet e dhunës kundër komunitetit të tyre për shkak të qëndrimeve të tyre politike, më shumë se 60 për qind, sa ishin në anketën e zhvilluar në qershor të vitit të kaluar.
Në anketë, 65 për qind e republikanëve të regjistruar thanë se mbijetesa e Trumpit gjatë atentatit dëshmoi se ai ishte “e favorizuar nga një fuqi hyjnore ose nga vullneti i Zotit”. 11 për qind e demokratëve ranë dakord me këtë.
Shtetet e Bashkuara dallohen në mesin e vendeve të pasura për përkrahje të fesë. Të krishterët evangjelikë janë kryesisht përkrahës të Partisë Republikane në dekadat e fundit.
Burimi: Reuters
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.