Drejtësia

Vrau kamerierin në Elbasan, Prokuroria kërkon 20 vite burg për autorin ende në arrati

Gazeta Si – Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar 20 vite burg në mungesë për Erjon Llapushin, i shpallur në kërkim për vrasjen në Elbasan të një kamarieri pas sherrit për një tavolinë.

Llapushi, autori i krimit makabër në një lokal në Elbasan më 2 tetor 2021. kapi nga fyti kamarierin Gazment Kurmaku për një tavolinë, e kërcënoi me një thikë, e më pas e vrau. Ai ndodhet në arrati prej thuajse 3 vjetësh dhe nuk është arrestuar akoma nga policia.

Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Luan Dulellari nuk bëri asnjë lëvizje për të ndaluar shokun e tij apo për të mbrojtur viktimën, por u arratis.

Gazment Kurmaku, 57-vjeç u vra për arsye banale, për një tavolinë që ishte rezervuar. Llapushi, 33 vjeç, është një personazh i skeduar për aktivitet kriminal, dhunë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Sherri mes tyre, nisi për një tavolinë të rezervuar, ku mësohet se kryekamarieri i ka bërë me dije Llapushit, se ajo ishte e zënë dhe nuk duhej të ulej aty.

Llapushi figuron mes 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, që akuzohen për ngjarje të ndryshme kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë