Drejtësia

Hetimet për inceneratorin e Tiranës, SPAK shpall në kërkim 8 persona: Asnjë nuk u arrestua! Grupi kriminal pastroi 20 mln euro pasuri

Gazeta Si – SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës, ku ka shpallur në kërkim 8 persona, pasi ndaj tyre nuk është arritur të zbatohet masa e arrestit nga policia me dyshimin se mund të jenë arratisur.

Në një njoftim për mediat, thuhet se SPAK ka firmosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, gazetarin Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe për 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Druijts.

Sipas SPAK, më datë 15.07.2024, policia ka vënë në dijeni Prokurorinë e Posaçme, për pamundësinë e ekzekutimit të masave të sigurimit personal ndaj këtyre shtetasve.

SPAK thotë se nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20.000.000 (njëzetë milion) Euro.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20.000.000 (njëzetë milion) Euro, të ndara konkretisht në shumat prej: 1.214.867.060 (një miliard e dyqind e katërmbëdhjetë milion, e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë) Lekë ; 9.456.093 (nëntë milion e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tre) Euro”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në krye të skemës së mashtrimit dhe pastrimit të parave, hetuesit thonë se janë dy biznesmenët, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët e kompanisë që fitoi konçensionin, të cilët janë shpallur në kërkim. Sipas SPAK, ata kanë bashkëpunuar me 8 personat e shpallur në kërkim javën e kaluar.

Aktiviteti kriminal i pastrimit të parave, rezulton se është kryer në vazhdimësi, duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare, duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal.

Këta persona kanë marrë vlera monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive.

Këto fatura lëshoheshin nga shoqëri fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit dhe më pas vlerat monetare tërhiqeshin cash.

SPAK ngriti akuzat për “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose  veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Kjo strukturë bëri po ashtu të ditur se policia nuk ka mundur të ekzekutojë asnjë nga urdhër-arrestet, pasi nuk ka mundur t’i gjejë të akuzuarit.

Për këtë dosje nën hetim janë edhe disa ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisti dhe Bashkisë së Tiranës me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën dhe korruptuar në dhënien e konçensionit për ndërtimin e inceneratorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë