Politike

21 janari, Basha: SPAK të hetojë gjithçka (nuk komenton rolin e tij dhe të Berishës)   

“Të hetojë gjithçka, plotësisht, në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Ky mbetet mesazhi im” Ky ishte reagimi kreut të grupimit politik demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha paraditen e së martës kur u pyet nga gazetarët për një koment për nisjen e hetimeve nga ana e SPAK për ngjarjet e ndodhura më 21 janar.

Basha theksoi se gjithnjë ka qenë në dispozicion të drejtësisë për rolin e tij si Ministër i Brendshëm në kohën kur ndodhën ngjarjet.

"Të hetojë gjithçka, plotësisht në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Ky ka qenë mesazhi im në këto 13 vite dhe ky mbetet mesazhi im dhe natyrisht në funksion të këtij mesazhi, kam qenë dhe mbetem në dispozicion të çdo akti të drejtësisë për të bërë zbardhjen e plotë dhe drejtësinë e plotë për 21 janarin.

Nuk është roli im të komentojë akte të cilat janë nën hetim penal. Roli im si qytetarë dhe si politikan, është të vendosemi 100% në dispozicion të drejtësisë për gjithçka që drejtësia kërkon, Ky është standarti perëndimor. Kush nuk është mësuar me këtë standart perëndimor nuk i vë faj, se 34 vite këtu ka dominuar standarti lindor, le të mësohet.

Në këto 13 vite janë graduar pushkatarët, e kam thënë dhe një herë tjetër. Ka tre dimensione: dimensioni njerëzor, 4 jetë njerëzisht të pafajshëm, një tragjedi e cila duhet të marrë një përgjigje ligjore. Dimension ligjor të hetohet gjithçka nga fillimi deri në fund. Dimensioni politik, pushkatarët që akuzoi Edi Rama i bëri kryetar PS-je, kryetar Bashkie i pasuroi. Personin për të cilin e bëri e bëri President. Në fillim e bëri aleat, kryetar Kuvendi, President. Shqiptarët e kuptojnë që 21 janari ka dhe dimensionin e dhimbshëm të manipulimit politik. Këtë e kam thënë dhe po ua them përsëri dhe sot pas 13 vitesh, sikundër e kam thënë në çdo program dhe në çdo emision në të cilin jam ftuar. Kështu që për 21 janarin keni njerëz të pafytyrë dhe të dyfytyrë sa të duash dhe keni një person që ka folur me koherencë nga fillimi deri në fund dhe ky jam unë dhe kësaj koherence i qëndrojë dhe sot...", tha Basha

I pyetur nëse ai si ministër i Brendshëm urdhëroi gardën të qëllonte mbi qytetarët dhe nëse ka lidhje me fshehjen e serverëve, Basha refuzoi të bënte komente të mëtejshme. Basha refuzoi gjithashtu të komentonte edhe për rolin e Sali Berishës në ngjarjet e 21 janarit, i cili në atë kohë ishte kryeministër i vendit

Pyetje -A ke urdhëruar gardën të qëllojë dhe a keni lidhje me fshehjen e serverëve?

Lulzim Basha: Jo dhe jo.

Pyetje: Cili është roli i ish kryeministrit?

Lulzim Basha: Të lëmë SPAK dhe GJKKO të bëjë punën e vet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë