Drejtësia

Dumani dhe hetimet për inceneratorët: Krim intelektual dhe shumë kompleks. ‘Xibraka’? Asnjë mesazh nga kryeministri!

Gazeta Si – Kreu i SPAK, Altin Dumani, thotë se hetimet me natyrë korruptive, duke iu referuar aferës së inceneratorëve, ku dyshohen të përfshirë edhe zyrtarë të lartë, janë shumë komplekse.

Si drejtues i SPAK, Dumani u shpreh se me aq sa e lejon ligji, ka bërë përpjeke për të nxitur prokurorët për evadimin e çështjeve.

“Është një krim intelektual dhe intelektuali para se të kryejë krimit mundohet ta fshehë. Për çështjen konkrete, çështja është në hetim paraprak”, tha ndër të tjera Dumani.

Ndërsa Dumani prezantonte raportin vjetor në Kuvend, deputeti Gazment Bardhi deklaroi se kryeministri Edi Rama, “përmes një funksionari publik i ka kërkuar kreut të SPAK, Altin Dumanit, të mbyllë dosjen “Xibraka”.

“Rezulton se kryeministri Edi Rama, përmes një shtetasi funksionar publik i ka përcjellë drejtuesit të SPAK një mesazh duke kërkuar që “çështja Xibraka të mbyllet pak shpejt”. Duke vlerësuar integritetin e drejtuesit të SPAK dhe duke shmangur komentet tuaja për veprimet e kryeministrit, duhet që të informoni Kuvendin e Shqipërisë mbi përgjigjen që ju i keni dhënë kryeministrit dhe a jepni ju garanci si drejtues që ky mesazh privat i Kryeministrit nuk do të ndikojë në punën tuaj”, tha Bardhi.

Por kreu i SPAK, tha në përgjigjen e tij se marrëdhëniet e tij me kreun e qeverisë janë vetëm institucionale dhe procedurale.

“Lidhur me marrëdhënien me kryeministrin apo me çdo titullar të çdo institucioni të Republikës, marrëdhëniet e mia si drejtues janë vetëm institucionale dhe proceduriale. Nuk marr e nuk përcjell asnjë lloj mesazhi. Unë ushtroj detyrat e mia në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore”.

Ndërsa sa i takon hetimeve për abuzimet me fondet e IPARD, edhe për këtë kreu i Prokurorisë së Posaçme u shpreh se është në hetim dhe nuk mund të japë detaje.

Bardhi: Ju keni marrë një raport nga zyra e OLAF për abuzimet me fondet e bujqësisë. Për shkak të abuzimeve fondet janë bllokuar nga BE në pritje të hetimeve.

A mund të na thoni ka nisur hetim SPAK dhe a mendoni se do kemi rezultate të shpejta?

Dumani: Për fondet IPARD është në hetim dhe nuk do jap detaje. Cështja është në hetim sa i takon menaxhimit të fondeve. Po hetohet cdo ditë. Nuk mund të jap më shumë detaje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë