Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Fredi Belerit për të pezulluar vendimin e gjykatës që e dënoi atë me 2 vite burg.
“Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e kërkesës së kërkuesit Dhionisios Alfred Beleri, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr. 14 datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posame të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr.26, datë 25.06.2024 të Gjykatës së Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njoftoi Gjykata e Lartë.
Më 25 qershor, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë dhe e dënoi Fredi Belerin me 2 vite burg për blerjen e votave në Himarë. Ai u vu në pranga më 12 maj të vitit 2023 dy ditë para zgjedhjeve lokale.
Pavarësisht se arriti të sigurojë votat për t’u zgjedhur në krye të Bashkisë së Himarës, ai nuk e bëri dot betimin si i tillë. Pas vendimit të Apelit, KQZ ia hoqi përfundimisht mandatin si kryebashkiak.
“Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, dhe shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Megjithatë pavarësisht se ndodhet në burg, Beleri u zgjodh si përfaqësues i Greqisë në Parlamentin Europian pasi ishte në listat e partisë qeverisëse “Demokracia e Re” në zgjedhjet që u zhvilluan në qershor.
Beleri u dënua në mars të këtij viti me dy vite burg për korrupsion në zgjedhje nga Gjykata e Shkallës së Parë, vendim që u la në fuqi në 25 qershor edhe nga Apeli i Posaçëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




