Politike

Gjykata Kushtetuese rrëzon PS: Keni detyrim të sillni mandatin e Xhaçkës në Kushtetuese, askush nuk është mbi ligjin

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të detyrojë Kuvendin që të dërgojë për shqyrtim pranë saj mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës. 

Duke pranuar pjesërisht kërkesën e grupit të PD-së, Gjykata Kushtetuese, më shumë sesa vendimi, i ka dhënë një leksion të qartë mazhorancës në Kuvend se askush nuk është mbi ligjin.

“Të mos zbatosh vendimin e gjykatës Kushtetuese do të thotë të mos zbatosh Kushtetutën dhe ligjin”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj

Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi çështjen në seancë publike me pjesëmarrjen e palëve, konstatoi se vendimi për mos dërgimin e mandatit të Xhaçkës në Kushtetuese nuk është ekzekutuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Gjykata vlerësoi se përmes këtij vendimi, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin 132, pika 1, të Kushtetutës, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.

“Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që ju imponon të gjithë organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit”, thuhet në vendim.

Gjykata theksoi gjithashtu se vendimi për detyrimin e Kuvendit për të dërguar në Gjykatë mocionin e 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit, sipas nenit 70 të Kushtetutës, është i detyrueshëm për zbatim.

“Kjo do të thotë se Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”.

Për sa më sipër, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.

3. Shfuqizimin e vendimit “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata vendosi detyrimin e Kuvendit për dërgimin sa më parë në Gjykatën Kushtetuese të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Por kryetarja e Gjykatës nuk dha afate konkrete se kur Kuvendi duhet ta çojë Kuvendi.

Paralelisht për të njëjtën çështje, gjykata ka rrëzuar edhe kërkesën er fundit të PS dërguar përmes Kuvendit.   

Kuvendi iu drejtua me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor lidhur me mandatin e Xhaçkës, me qëllim kërkimin e një opinioni këshillimor, nga Komisioni Evropian për Demokraci përmes Ligjit.

Ndihma u kërkua me argumentin se juristët në Shqipëri po përballen me pasiguri juridike në lidhje me këtë rast.

“Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias”,- thuhej në kërkesën e Kuvendit drejtuar Kushtetueses.

Kryetarja e gjykatës tha se edhe kjo kërkesë është rrëzuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë