Analize

VV-ja e Albin Kurtit mbështeti hapur të majtët në zgjedhjet në Francë por Melenchoni nuk e njeh Kosovën

Nga Gazeta ‘Si’- Në fund të qershorit, kur raundi i dytë i zgjedhjeve në Francë ishte ende një javë larg, Lëvizja VetëVendosje e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti doli hapur kundër të djathtës ekstreme.

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, VV-ja shkroi se do të mbështeste subjektet e majta të Frontit të Ri popullor me arsyetimin se “ata janë e vetmja mundësi për të ruajtur vlerat që janë ndërtuar me mund dhe sakrificë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.”

Një javë më vonë, rezultatet e zgjedhjeve treguan këtë të hënë se koalicioni i majtë i Frontit të Ri Popullor u rendit i pari duke siguruar 182 vende.

Mes katër partive politike të majta që krijuan me ngut këtë aleancë ndodhet edhe “Lëvizja e Francës së Papërkulur” (LFI) e Jean-Luc Mélenchon-it i cili që prej mbrëmjes së kaluar diskutohet si emri më i mundshëm për të qenë kryeministër i Francës.

Në fakt, Melenchoni përpos bindjeve të tij radikale njihet gjerësisht edhe për qëndrimet e tij të theksuara anti-kosovare.

///

Më 20 shkurt të 2018-s, atëbotë 10 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Melenchoni doli me një artikull të gjatë në faqen e tij zyrtare kundër pavarësisë së Kosovës, kundër bombardimit të Jugosllavisë nga NATO-ja e sakaq dhe kundër përkrahjes së SHBA-së për Kosovën.

Sipas tij, pavarësia e Kosovës “e ka rëndësinë e saj në destabilizimin e rendit ndërkombëtar, nga i cili pasojat ne po i vuajmë sot”.

“17 shkurti (i vitit 2018) ishte 10-vjetori i shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Dhjetë vjet më vonë, një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar nuk e njeh këtë shpallje të pavarësisë. Kjo vlen për 80 shtete, për shembull Kina, Rusia, Brazili, India, Spanja ose Greqia. Por edhe në Bashkimin Evropian. Dua të kthehem të kjo ngjarje, sepse ajo e ka rëndësinë e saj në destabilizimin e rendit ndërkombëtar, nga i cili pasojat ne po i vuajmë sot”, nis shkrimi i gjatë i Melenchonit i cili mandej del kundër ndërhyrjes së NATO-s përmes bombardimeve duke akuzuar Shtetet e Bashkuara se ishin paraqitur si mbrojtëse të pakicave për ta justifikuar ndërhyrjen e tyre ushtarake.

Francezi shkon edhe më larg, duke akuzuar pjesëtarët e UÇK-së për trafikim organesh nga të burgosurit.

“Trafikimi i organeve të marra nga të burgosurit nga heronjtë që e çliruan Kosovën ka kaluar pa u vënë re, vendosja e një baze gjigante të SHBA-së në shtetin derivat nuk është komentuar. Përgjegjësia e mafieve shqiptare të mbrojtura nga qeveria në këtë trafikim dhe e disa të tjerëve nuk është për diskutim” – shkruante ai para gjashtë vitesh ndërsa vajton kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke përmendur miratimin e Rezolutës 1244 nga Këshilli i Sigurimit, sipas së cilës nuk parashikohej pavarësia e Kosovës.

“Prania ushtarake e NATO-s ishte konceptuar brenda kornizës së një statusi të pashembullt të protektoratit të përkohshëm ndërkombëtar. Pavarësia e Kosovës nuk ishte parashikuar. Ajo nuk mund të pranohej, sidomos nga Rusia, aleatja historike e së cilës në Ballkan është Serbia. Blla-blla-blla” – vijonte mandej ai ndësa akuzonte sërish Shtetet e Bashkuara se, me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, kishin shkelur fjalën, pasi kishin votuar Rezolutën 1244, e cila, sipas tij, e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.

“Natyrisht, sovraniteti i Kosovës në thelb është imagjinar. 19 vjet pas viti 1999, trupat e NATO-s janë ende masivisht të pranishme në Kosovë, e cila varet tërësisht nga kjo prani për ekzistencën e saj. Enklava, e privuar nga të gjitha burimet, vazhdon që të zhytet në varfëri: shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve arrin në 60 për qind. Kosova nuk ekziston. Kjo enklavë është e paqeverisshme dhe e paqëndrueshme” – shkruante ashpër kundër Kosovës themeluesi i partisë së të majtës ekstreme.

Ndërsa mbetet të shihet se si do të rrjedhin bisedimet për formimin e Qeverisë së re në Francë dhe çfarë roli do të marrë partia majstiste e Melenchon-it, nuk dihet ende nëse VV-ja ka qenë në dijeni të këtyre qëndrimeve përpara se të dilte hapur në mbështetje të Frontit.

Dhe nëse po, sa normale është të mbështetësh një lider sipas së cilit “Kosova nuk ekziston??”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë