Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping, më 8 korrik, disa ditë pasi zhvilloi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, për një marrëveshje të mundshme të paqes në Ukrainë, që zemëroi disa udhëheqës të Bashkimit Evropian.
Sipas medias shtetërore kineze, Orban dhe Xi u takuan në Pekin në një prej rezidencave presidenciale.
Kina, që ka raporte të ngushta me Rusinë, ka promovuar një plan të saj të paqes me gjashtë pika, ndërkaq Orban ka nisur një “mision për paqe”, pasi shteti i tij mori udhëheqjen e Presidencës së BE-së në fillim të këtij muaji.
“Misioni i Paqes 3.0”, shkroi ai në X – që më herët njihej si Twitter – pasi arriti në Pekin.
Çfarë u diskutua në Pekin?
Presidenti kinez Xi Jinping, u bëri thirrje fuqive botërore të ndihmojnë Rusinë dhe Ukrainën të rifillojnë negociatat e drejtpërdrejta, sipas televizionit shtetëror kinez CCTV.
Kryeministri Orban vlerësoi “nismat konstruktive dhe të rëndësishme” të Kinës për arritjen e paqes dhe e përshkroi Pekinin si një forcë stabilizuese mes turbullirave globale.
Përveç Rusisë dhe Ukrainës, fundi i luftës “varet nga vendimi i tre fuqive botërore, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Kinës”, shkroi kryeministri Orban në një postim në Facebook, në të cilin shihet duke shtrënguar duart me presidentin Xi.
Vizita e Orban e paparalajmëruar pasoi udhëtimet e ngjashme javën e kaluar në Moskë dhe Kiev, ku ai propozoi që Ukraina të shqyrtojë mundësinë e një armëpushimi të menjëhershëm me Rusinë.
Vizita e tij në Moskë, u dënua nga Kievi dhe udhëheqësit evropianë.
“Numri i vendeve që mund të bisedojnë me të dyja palët ndërluftuese po zvogëlohet”, tha kryeministri Orban. “Hungaria po bëhet ngadalë i vetmi vend në Evropë që mund të flasë me të gjithë”.
Hungaria mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në fillim të korrikut dhe presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi që zoti Orban shkoi në Moskë si një përfaqësues i lartë i bllokut. Disa zyrtarë të lartë evropianë e hodhën poshtë një gjë të tillë dhe thanë se kryeministri Orban nuk kishte mandat për asgjë tjetër përveç diskutimeve rreth marrëdhënieve dypalëshe.
Kryeministri hungarez, i cili shihet gjerësisht si udhëheqësi që ka marrëdhëniet më të ngrohta me Putinin mes drejtuesve të BE-së, ka bllokuar, vonuar ose zbutur vazhdimisht përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Ukrainën dhe për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Ai ka argumentuar për një kohë të gjatë për një ndërprerje të armiqësive në Ukrainë, por pa treguar se çfarë mund të thoshte kjo për tërësinë tokësore të vendit ose sigurinë e ardhshme të tij.
Ky qëndrim ka nervozuar aleatët e Hungarisë në BE dhe NATO, të cilët i kanë denoncuar veprimet e Rusisë si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një kërcënim për sigurinë e vendeve në Evropën Lindore.// Reuters
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.