Drejtësia

Zbardhet vendimi, Gjykata e Lartë: 21 Janarin ta hetojë SPAK-u

Nga Gazeta 'Si'-Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Lartë që ka vendosur që çështjen e 21 janarit ta hetojë SPAK-u.

SPAK priste vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë për të regjistruar kallëzimin e Rajmonda Nikës e cila kërkon që ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi të hetohen si organizatorë të “21 janarit”.

Rajmonda Nika bashkëshortja e Aleks Nikës trokiti një vit më parë në SPAK duke kërkuar angazhimin e prokurorëve të posaçëm në një kohë që prej 13 vitesh vijojnë të pazabardhur dy vrasje, ajo e Nikës dhe e Hekuran Dedës.

Për 21 janarin drejtësia ka shpallur fajtor Ndrea Prendin dhe Agim Llupon si autorë të vrasjes së Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj. Nga ana tjetër Strasburgu ka urdhëruar gjithashtu hetime të gjithanshme të “21 janarit”.

Kolegji i Gjykatës së Lartë thotë se është e rëndësishme të mbahet në konsideratë qëndrimi i Gjykatës së Strasburgut që thotë se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, që do të duhet të ishte përqendruar në natyrën e urdhrave nga zinxhiri komandues. 

“Kolegji çmon të evidentojë – me këtë rast - se – në konformitet me përcaktimet e nenit 46 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut - Palët Kontraktuese (ku përfshihet edhe Shqipëria) – kanë detyrimin e konformimit ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës (GJEDNJ), në çdo çështje ku ato janë palë, përmes ekzekutimit të tyre.”

Gjykata e Lartë thotë se SPAK është i detyruar të regjistrojë procedimin penal dhe të zbardhë përgjegjësitë e Sali Berishës, Lulzim Basha, Ndrea Prendit e të tjerëve për vrasjen e 4 personave të pafajshëm në bulevard.

“Asnjëherë nuk është tentuar për të shtrirë hetimet - lidhur me “ngjarjen e 21 janarit” – ku mbeten të vrarë katër demostrues dhe të plagosur dhjetëra të tjerë – nga zjarri i armëve të përdorura nga efektive të Gardës Kombëtare të “barrikaduar” në brendësi të selisë së Kryeministrit - të ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përtej nivelit të mirëfilltë ekzekutues të krimit (krimeve) – të sipërcituar (efektivë të Gardës Kombëtare - përfshirë edhe nivelin komandues të saj) – por edhe të paballafaquar minimalisht (në të njëjtën kohë) me indiciet individualizuese – evidentuese të implikimit të nivelit më të lartë drejtues shtetëror – përfshirë Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm të kohës - përtej atij të mirëfillte ekzekutues – të vëna në dispozicion të organit të procedimit”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë