Gazeta Si - Gjykata e Posaçme shtyu për më 11 korrik, ora 10:00, seancën për informacion 2-mujor në ngarkim të ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion pasiv si pjesë e një hetimi gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.
Shkak i shtyrjes ishte mosmarrja e njoftimit për seancën nga Berisha dhe Malltezi.
Në seancën e kësaj të marte, pritej që Prokuroria e Posaçme t’i komunikojë avokatëve përfundimin ose shtyrjen e hetimeve me 3 muaj të tjerë, pasi sot përfundon afati i hetimeve për privatizimin e ish klubit sportiv Partizani.
Nga ana tjetër, avokët pritet të përsërisin kërkesën e tyre për ndryshim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, vendosur ndaj të dyve.
Në një prononcim për mediat, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj është shprehur se hetimet për çështjen “Partizani” janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin.
"Ne kërkojmë zëvendësimin e masës sepse mungon çështja në thelb. Këta edhe ta zgjasin afatin, edhe të mos e zgjasin, një çështje që nuk ka një fabul akoma të përshkruar nga prokuroria, sigurisht që nuk duhet zgjatur, por duhet marrë zgjidhja ligjore që është pushimi i hetimeve. Ata duhet t’i thërrasin mendjes se edhe sikur të bëjnë një tjetër zgjatje të sforcuar, ata nuk kanë gjë në inventar në kuptimin e provave. I bëj thirrje që të ndërmarrin një veprim ligjor të duhur njëherë në jetë sepse hetimet janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin", - tha Gjokutaj.
Më 18 qershor, gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi të rrëzojë kërkesën e radhës të Sali Berishës e Jamarbër Malltezit për ndryshim të masës së sigurisë, duke i lënë sërish në "arrest shtëpie".
SPAK kërkon që Berisha të qëndrojë nën masën e sigurimit arrest në shtëpi, ndërkohë që avokatët kërkojnë ndryshim mase.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.