Edhe pse në masën e sigurisë "arrest në shtëpi", mjeku onkolog Edmond Gashi doli nga dera e pasme e Gjykatës së Tiranës dhe pa asnjë punonjë policie që ta shoqëronte, siç e parashikon ligji.
Këtë e konfirmon edhe Gjykata e Tiranës, e cila thotë se Gashi është larguar me vrap i pashoqëruar nga asnjë punonjës i Policisë së Shtetit.
Pas masës së sigurisë, Gashi u filmua duke u larguar me vrap nga dera e pasme e godinës, jo andej nga hyri ç'ka solli reagime në publik.
Gjykata, më vonë është detyruar të dalë me një sqarim se pse mjeku në arrest zgjodhi atë dalje, duke evidentuar njëkohësisht shkelje edhe nga Policia e Shtetit.
Në njoftim sqarohet se mjeku Gashi, pasi u njoh me masën "arrest në shtëpi" ka dalë nga hyrja e autorizuar për gjyqtarët duke përfituar nga hapja e derës në mënyrë rastësore nga një punës i gjykatës.
Gjykata thekson se Gashi është larguar i pashoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit të cilët duhet të bënin dërgimin e tij në shtëpi.
"Në datën 27.06.2024, për paraqitjen dhe pjesëmarrjen e tij në seancën e caktuar për “Komunikimin e masës së sigurimit personal të caktuar në mungesë nga Gjykata”, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, personi nën hetim Edmond Gashi, do të duhej të ishte i shoqëruar nga punonjës të policisë së shtetit, të cilët në zbatim të vendimit të gjykatës si dhe në referim të nenit 237 të K.Pr.Penal, duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me përpikmëri vendimet e gjykatës, si dhe zbatueshmërinë e masave të sigurimit.
Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me rradhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qenë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit", bën me dije Gjykata e Tiranës.
Ndërkohë dhe gazetarët kanë konstatuar se Edmond Gashi ka mbërritur në gjykatë i pashoqëruar me policë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.