Gazeta Si - Pak orë para vizitës së kryeministres italiane Giorgia Meloni, kampi i pritjes së emigrantëve në Shëngjin brenda perimetrit të portit është gati.
Ashtu siç duket në pamjet e siguruara nga Gazetasi.al, kampi që do të presë dhe seleksionojë fillimisht emigrantët kryesisht nga Afrika, është i monitoruar nga të gjitha anët me kamera.
Vetëm një ditë më parë përfunduan punimet për qendrën pritëse, para vizitës së kryeministrisë italiane, Giorgia Meloni.
Në video dallohen edhe karabinierët italianë, pasi tashmë qendra e pritjes është marrë në dorëzim nga autoritetet e vendit fqinj.
Ndërsa po këtu do mbajë një konferencë për shtyp Rama dhe kryeministrja italiane Meloni në kuadër të zbatimit të protokollit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Qendra e pritjes do të shërbejë për identifikimin dhe regjistrimin e emigrantëve, ndërsa Gjadri do të jetë kampi për vendqëndrimin e tyre në pritje të përgjigjeve për kërkesat e azilit.
Marrëveshja, e rënë dakord për pesë vitet e para, parashikon zbarkimin e 36,000 emigrantëve në vit në portin shqiptar të Shëngjinit, rreth 75 km (45 milje) në jug të kryeqytetit të vendit, Tiranës.
Rastet e tyre do të trajtohen në një qendër që po ndërtohet në një bazë ajrore aty pranë në Gjadër, e cila mund të mbajë 3000 njerëz.
Të dy objektet do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të bëhet nga rojet shqiptare.
Marrëveshja parashikon që të gjitha shpenzimet do të përballohen nga Italia, ndërsa pala italiane do të procedojë me kërkesat për azil.
Personat të cilëve nuk do t’u miratohet procedura e azilit do të riatdhesohen drejt vendeve të tyre, sipas marrëveshjeve dypalëshe që ka pala italiane me ato vende. Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.