Politike

Nga Rinasi me helikopter drejt Gjadrit, Meloni inspekton me Ramën punimet për kampin e refugjatëve (foto-video)

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni mbërriti në aeroportin e Rinasit (ora 11:24)  për të inspektuar qendrat e emigrantëve që po ndërtohen nga qeveria Italiane në territorin shqiptar.

Meloni u nis me helikopter prej Rinasit drejt Gjadrit ku u prit nga kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshë Taulant Balla dhe personeli italian i cili është angazhuar për punimet e kampit.

Meloni shoqërohet edhe nga ambasadori italian, Fabrizio Bucci.

Meloni dhe Edi Rama do të vizitojnë zonën e Gjadrit në Lezhë, që mbulon protokolli i bashkëpunimit Itali-Shqipëri për çështjet e migracionit.

Më pas në qendrën pritëse në Shëngjin do mbahet konferenca Rama-Meloni.

Vizita e kryeministres Meloni vjen në kuadër të Javës Italiane të Kulturës në Shqipëri, ndërkohë punimet për qendrën pritëse të emigrantëve në portin e Shëngjinit po shkojnë drejt fundit.

Të hënën më (3 qershor) në këtë qendër mbërriti edhe policia italiane, që do të dislokohet në Shëngjin për të garantuar sigurinë e refugjatëve.

Fillimi i protokollit të marrëveshjes për emigrantët pritet të nisë më 15 shtator, ku është parashikuar që 13.5 milion euro të shkojnë vetëm për marrjen me qira të anijes e cila do të shoqërojë emigrantë deri në portin e Shëngjinit.

Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ku do të ngrihet qendra e parë që do të shërbejë për identifikimin dhe regjistrimin e refugjatëve, ndërsa Gjadri do të jetë kampi për vendqëndrimin e tyre në pritje të përgjigjeve për kërkesat e azilit.

Qendra pritëse do të ketë një kapacitet 3 mijë vende. Në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do t’i largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë