Nga Gazeta ‘Si’ – Kur një bashkëpunëtor i një prej aleatëve më të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin hapi një media pro-Kremlinit në maj të 2023-shit, oficerët çekë të kundërzbulimit filluan të vëzhgonin me kujdes.
Për gati një vit, thanë zyrtarët e inteligjencës europiane, autoritetet çeke regjistronin në fshehtësi orë të tëra takimesh midis disa politikanëve të ekstremit të djathtë nga e gjithë Europa dhe bashkëpunëtorit, Artem Marchevsky, i cili drejtonte web-in propagandistik, Voice of Europe(Zëri i Europës) duke përfshirë edhe zyrat e tij në një rrugë anësore të qetë në qendër të Pragës.
Komisioni Europian dhe autoritetet çeke, të cilat kanë mbyllur faqen, e kanë etiketuar Zërin e Europës një operacion propagandistik rus.
Hetimi çek u zgjerua me shpejtësi në Belgjikë, Gjermani, Holandë, Poloni dhe Francë, thanë zyrtarët europianë të sigurisë dhe inteligjencës, ndërsa hetuesit arritën në përfundimin se Zëri i Europës përfaqësonte shumë më tepër sesa një faqe interneti pro-ruse që intervistonte politikanë të favorizuar europianë për t’i dhënë fund ndihmës për Ukrainën.
Organizata po përdorej për të derdhur qindra mijëra euro – deri në 1 milion në muaj – për dhjetëra politikanë të ekstremit të djathtë në më shumë se pesë vende për të mbjellë propagandën e Kremlinit në mediat perëndimore, gjë që do të mbillte ndarje në Europë dhe do të forconte pozicionin e kandidatëve pro-rusë në zgjedhjet e kësaj jave për Parlamentin Europian, sipas intervistave me një duzinë zyrtarësh të inteligjencës europiane nga pesë vende.
Shumica e zyrtarëve folën në kushte anonimiteti për të diskutuar një hetim të vazhdueshëm dhe të ndjeshëm.
Dokumentet e brendshme të Kremlinit të marra nga një prej shërbimeve të të inteligjencës europiane dhe të shqyrtuara nga The Post tregojnë për herë të parë se Zëri i Europës ishte pjesë e një fushate ndikimi të krijuar nga Kremlini në koordinim të ngushtë me Viktor Medvedchuk-in, aleatin e Putinit i cili deri në pushtimin që Rusia i bëri Ukrainës udhëhoqi një parti opozitare pro-Moskës në Kiev.
Ajo u menaxhua më vonë nga një toger kryesor i Medvedchuk-ut, i cili, tregojnë dokumente të tjera, bashkëpunoi ngushtë me një njësi të Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë, ose FSB, përgjegjës për Ukrainën dhe disa ish-shtete sovjetike, i njohur ndryshe si Shërbimi i Pestë i FSB-së.
Pas dëbimit nga Europa të dhjetëra oficerëve të inteligjencës ruse pas pushtimit të Ukrainës, fronte të tilla si “Zëri i Europës” u bënë instrumente që Kremlini të rifitonte terrenin e humbur, tha një nga zyrtarët e lartë të inteligjencës europiane.
“Shërbimet e inteligjencës ruse duhej të ndryshonin punën e tyre. Rezultati është, për shembull, ndikimi i rrjeteve të tilla si Zëri i Europës,” tha zyrtari.
Statusi i faqes së internetit si një organizatë lajmesh ishte krijuar për të siguruar mbulim, tha një tjetër zyrtar i inteligjencës, duke e bërë “më të lehtë qasjen ndaj politikanëve” nën maskën e intervistimit të tyre për Ukrainën, anti-globalizmin dhe çështje të tjera.
Michal Koudelka, kreu i shërbimit të brendshëm çek të sigurisë, tha se operacioni Zëri i Europës ishte gjithashtu një përpjekje për të futur më shumë anëtarë pro-rusë në Parlamentin Europian dhe se pas votimit që fillon këtë të enjte, “kishte një plan për njerëzit në Parlamentin Europian për të kryer spiunazh klasik” në emër të Rusisë.
“Ishte një operacion që synonte të formësonte Europën,” tha Koudelka në një intervistë.
Partitë e ekstremit të djathtë mund të përfundojnë me 25 për qind të vendeve në Parlamentin Europian prej 720 anëtarësh, sipas disa sondazheve të opinionit.
Dhe për Rusinë, ndikimi në rritje midis këtyre palëve mund të sigurojë një mekanizëm për kërcënimin e ndihmës për Ukrainën , si dhe terren pjellor për spiunazh, sipas Vera Jourova, zëvendëspresidente e Komisionit Europian.
Politikanët pro-rusë “mund ta bëjnë vërtet të vështirë financimin [e Ukrainës]”, tha Jourova për The Post.
Dhjetëra mijëra para të gatshme
Hetimi çek ka çuar në bastisje në shtëpinë dhe zyrat e një ndihmësi të një anëtari holandez të së djathtës ekstreme në Parlamentin Europian dhe të Petr Bystron, një anëtar kryesor i Alternativës së ekstremit të djathtë për Gjermaninë, ose AfD.
Bystron, zëdhënësi i AfD-së për punët e jashtme, ka qenë ndër më të zëshmit në Gjermani kundër dërgimit të armëve perëndimore në Ukrainë dhe për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Autoritetet gjermane thanë në maj se e kanë vënë Bystron nën hetim për korrupsion të dyshuar dhe pastrim parash si pjesë e hetimit dhe policia bastisi zyrën e tij në parlamentin gjerman si dhe pronat në Gjermani dhe Spanjë. Në një regjistrim, tre nga zyrtarët e lartë të inteligjencës europiane deklaruan se Bystron mund të dëgjohet duke u ankuar tek një zyrtar i Zërit të Europës për vështirësinë e transportimit të dhjetëra mijëra parave të gatshme në shtëpinë e tij të pushimeve në Mallorca.
“Ne e dinim se ai ishte pro-rus,” tha një nga zyrtarët e lartë të inteligjencës, duke vënë në dukje lidhjet e gjata të Bystron me Rusinë dhe politikanët pro-rusë në Ukrainë. Zyrtari beson se autoritetet tani kanë mbledhur prova që mbështesin akuzën se Bystron ka marrë para nga Rusia dhe ka bërë propagandë në botimet e ekstremit të djathtë në këmbim.
Bystron me origjinë çeke nuk ishte vetëm “një person pasiv që merrte para”, tha zyrtari.
“Ai organizoi gjërat,” sipas zyrtarit, duke thënë se Bystron, i cili flet rusisht, solli figura të tjera politike në orbitën e Zërit të Europës dhe ishte “personi kryesor udhëheqës”.
“Bystron dinte planet për operacionet e spiunazhit në Parlamentin Europian” tha ky person, duke shtuar se kishte prova të regjistruara për këtë.
Bystron mbetet një kandidat për Parlamentin Europian dhe ka denoncuar hetimin si një komplot nga shërbimet europiane të sigurisë për të dëmtuar pozitën e AfD-së përpara zgjedhjeve.
“Para çdo zgjedhjeje është e njëjta gjë: shpifje me ndihmën e shërbimeve sekrete,” tha ai për Deutschland Kurier, një faqe interneti e lidhur me AfD.
Bystron tha: “Ne kemi pasur tashmë një kontroll shtëpie gjatë një fushate zgjedhore në 2017, e cila më pas u deklarua si e paligjshme nga gjykatat. Askush nuk u interesua pas zgjedhjeve”. Ai nuk pranoi të intervistohej më tej dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara me shkrim të Washington Post.
AfD ende pritet të dalë e dyta ose e treta në sondazhin e 6 qershorit, pas Unionit Kristian Demokrat të qendrës së djathtë, pavarësisht polemikave, të cilat kanë prekur drejtues të tjerë të AfD.
Prokurorët në Gjermani kanë thënë në një deklaratë se kanë nisur një hetim paraprak ndaj Maximilian Krah mbi akuzat për pranimin e pagesave nga Rusia dhe Kina për punën e tij si anëtar i AfD-së në Parlamentin Europian. Policia kontrolloi zyrën e tij si pjesë e një hetimi mbi pretendimet se një nga ndihmësit e tij punonte si spiun për Kinën. Të mërkurën, policia bastisi rezidencën dhe zyrat e asistentit parlamentar holandez i cili kishte punuar më parë për Krah.
Krah tha në një deklaratë për The Post se akuzat ishin pjesë e një “fushate dezinformuese kundër partisë sime të orkestruar nga agjencitë e inteligjencës” dhe i quajti akuzat “jo vetëm të gabuara”, por “shpifëse”.
Shërbimet e sigurisë në Europë po hetojnë ende rolin e dhjetëra politikanëve të tjerë të ekstremit të djathtë në rrjetin Zëri i Europës, përfshirë nga Franca, Belgjika dhe Holanda, si dhe deri në gjashtë figura të tjera të AfD-së. Autoritetet belge kanë luajtur gjithashtu një rol udhëheqës hetimor, me takimet kryesore të Zërit të Europës me politikanë që po zhvillohen në vende të tjera në Europë, përfshirë Brukselin, thanë zyrtarë të lartë.
Një seri skandalesh
Zyrtarët europianë të sigurisë dhe dokumentet e Kremlinit e lidhin krijimin e Zërit të Europës në fillim të vitit 2023 me administratën presidenciale të Rusisë dhe Medvedchuk, i cili është aq i afërt me Putinin sa presidenti rus është kumbari i vajzës së tij.
Medvedchuk iu dorëzua Rusisë në shtator 2022 si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve midis Moskës dhe Kievit . Ai shihej në Moskë si një lider i mundshëm i Ukrainës nëse pushtimi rus kishte sukses dhe Kremlini ishte në gjendje të instalonte aleatët e tij në pushtet në Kiev, thanë zyrtarët e inteligjencës.
Dokumentet e Kremlinit tregojnë se Zëri i Europës fillimisht ishte i lidhur me një operacion propagandistik rus të nisur në janar 2023 nga zëvendës shefi i parë i kabinetit të Kremlinit, Sergei Kiriyenko. Ai u krijua për të rritur mbështetjen për Medvedchuk në Ukrainë dhe për ta pozicionuar atë në mesin e krijuesve të opinionit europian si një zëvendësues i mundshëm për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke promovuar bisedimet e paqes “si një alternativë ndaj luftës së mundshme bërthamore”, thuhet në dokumente. Fushata, e quajtur “Ukraina tjetër”, do të paraqiste Medvedchuk-un si kreun e një qeverie në mërgim, tregojnë dokumentet.
Qëllimi ishte të krijohej “një organizatë që mund të sillet pasi Rusia të demonstronte paligjshmërinë e regjimit të Zelenskit dhe të negocionte përfundimin e luftës nga një pozitë e fortë”, tha një zyrtar i inteligjencës i njohur me planet.
Medvedchuk nuk pranoi të komentojë.
Strategët politikë të Kremlinit, duke përfshirë Ilya Gambashidze dhe Nikolai Tupikin, të cilët Shtetet e Bashkuara i kanë sanksionuar për rolet e tyre në fushatat e dezinformimit, u sollën për të ndihmuar në nisjen e projektit, i cili parashikonte promovimin e intervistave me Medvedchuk dhe organizatën e tij “Ukraina tjetër” përmes një uebi të mediave sociale dhe llogarive në YouTube, dhe paraqitjeve në mediat perëndimore, tregojnë dokumentet e Kremlinit.
Zëri i Europës u përshkrua si një “burim lajmesh”, me Marchevsky, një bashkëpunëtor i vjetër i Medvedchuk, në krye të tij, tregon një nga dokumentet. Në korrik, menaxhimi i saj i përgjithshëm u mor nga Renat Kuzmin, një tjetër bashkëpunëtor kyç i Medvedchuk, i cili, tregojnë dokumentet, ka punuar ngushtë me Shërbimin e Pestë të FSB-së.
As Kremlini dhe as Kuzmin nuk iu përgjigjën kërkesave të hollësishme për koment.
Media e Pragës, thanë zyrtarët e inteligjencës, i dha Marchevskyt një mënyrë për të angazhuar një rrjet politikanësh ekstremistë europianë, disa prej të cilëve, përfshirë Bystron, ishin kultivuar nga aleatët politikë të Rusisë në Ukrainë që kur Kremlini aneksoi ilegalisht Krimenë në 2014.
Këto marrëdhënie shpesh menaxhoheshin fillimisht nga Oleg Voloshyn, një operativ politik i ngarkuar për marrëdhëniet me jashtë për partinë politike “For Life” të Medvedchuk përpara pushtimit të Rusisë.
Në një intervistë, Voloshyn tha se prezantoi Medvedchuk dhe Bystron në Berlin në vitin 2020. Voloshyn tha se solli Bystron dhe Krah në Kiev për të festuar ditëlindjen e tij të 40-të në prill 2021, duke i prezantuar ata me Marchevsky-n, i cili në atë kohë drejtonte një nga tre stacionet televizive të Medvedchuk në Ukrainë.
Pasi Medvedchuk u vendos në arrest shtëpiak nga qeveria e Zelenskyt dhe u akuzua për tradhti, Bystron dhe Krah udhëtuan përsëri në Kiev për të vizituar Medvedchuk-un në shtëpinë e tij, një udhëtim që ngriti shqetësime midis zyrtarëve europianë të sigurisë.
Kur Bystron bëri një udhëtim të fshehtë në Bjellorusi në nëntor 2022 – duke e pranuar vizitën vetëm pasi u ekspozua nga mediat lituaneze dhe gjermane – ai u takua me Voloshyn, i cili ishte zhvendosur atje pas pushtimit të Rusisë, tha Voloshyn për The Post.
Voloshyn tha se ai e lidhi Bystron me Medvedchuk me telefon gjatë vizitës, por këmbënguli që gjermani dhe ukrainasi folën jo më shumë se disa minuta. Në një intervistë të vitit 2023 me The Post , Bystron tha se ai u takua vetëm me zyrtarë bjellorusë gjatë udhëtimit. Menjëherë pas vizitës, Bystron paraqiti në parlamentin gjerman një plan paqeje të favorshëm për Kremlinin.
Me Voloshyn të paaftë për të udhëtuar në Bashkimin Europian, Marchevsky u bë fytyra e Zërit të Europës në Pragë.
Marchevsky nuk iu përgjigj një kërkese të detajuar për koment. Në komentet e mëparshme për Financial Times , ai mohoi të punonte si përfaqësues i Medvedchuk dhe tha se nuk ishte i përfshirë në menaxhimin e Zërit të Europës, duke pretenduar se kompania e tij ishte vetëm një kontraktues i palës së tretë. Ai nuk pranoi të zbulonte vendndodhjen e tij pasi u arratis nga Republika Çeke.
Një seri skandalesh që godasin AfD-në – duke përfshirë një deklaratë nga Krah se jo të gjithë anëtarët e SS-së naziste në Luftën e Dytë Botërore ishin fajtorë për krime – e kanë dëmtuar, por nuk e kanë shkatërruar pozitën e partisë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian. Krah është tërhequr nga gara dhe AfD ende pritet të marrë të paktën 15 për qind të votave, gjë që mund t’i lejojë asaj një përfundim në vendin e dytë në Gjermani.
Deklarata e Krah për SS bëri që partia e ekstremit të djathtë Rally në Francë, e udhëhequr nga Marine Le Pen, të thoshte se nuk do të ulej me AfD-në në Parlamentin Europian. Por anëtarësimi i AfD-së në grupime të tilla zyrtare mund të mos thotë shumë kur bëhet fjalë për votimin për çështjet që lidhen me Rusinë ose Ukrainën, tha një nga zyrtarët e inteligjencës europiane, me partitë në gjendje të votojnë në blloqe ad hoc.
Shërbimet e inteligjencës çeke, për një, janë ende vigjilente.
“Ne ndaluam operacionin e Zërit të Europës por ka shqetësime se rrjete të tjera mund të punojnë në vende të tjera europiane. “Kjo luftë nuk mbaron kurrë”, tha Koudelka.
Burimi: Washington Post/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.