Gazeta Si – Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka humbur jetën në aksidentin me helikopterin me të cilin po udhëtonte me shoqëruesit e tij.
Konfirmimi, pas orëve kërkimore, erdhi nga Gjysmëhëna e Kuqe iraniane. Raisi, Ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian, guvernatori i provincës së Azerbajxhanit Lindor të Iranit dhe zyrtarë e truproja të tjerë në bordin e mjetit kishin marrë pjesë në inaugurimin e një dige në lumin Aras kur helikopteri u rrëzua në një zonë të largët të provincës së Azerbajxhanit Lindor.
Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, Pir Hossein Kolivand, shpjegoi se pas orë të tëra kërkimesh nga ekipet e shpëtimit (73 prej tyre u përdorën), “kur u zbulua vendndodhja e helikopterit të rrëzuar, nuk kishte asnjë gjurmë pasagjerësh të gjallë”.
Edhe CNN konfirmon: “Asnjë shenjë jete e Raisit dhe 7 personave të tjerë në bordin e mjetit. Kabina e helikopterit është e djegur”.
Përveç presidentit Ebrahim Raisi dhe ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, identifikohen edhe 3 viktima të tjera që udhëtonin në helikopterin që u rrëzua në veri-perëndim të Iranit.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA thotë se në bord ishin gjithashtu Ayatollah Mohammad Ali Al-e Hashem, imami për faljen e xhumasë në qytetin e Tabrizit dhe gjenerali Malek Rahmati, guvernatori i provincës iraniane të Azerbajxhanit Lindor.
The first images have emerged showing the transfer of the martyrs' bodies by Red Crescent rescuers and army rangers to the downstream areas. pic.twitter.com/VE9Tg6nv6B
— Press TV 🔻 (@PressTV) May 20, 2024
Po ashtu mes viktimave ishte dhe komandanti i njësisë së mbrojtjes së presidentit, Sardar Seyed Mehdi Mousavi, si dhe një numër truprojash dhe ekuipazhi helikopteri, të cilët ende nuk janë identifikuar.
Mbetjet e helikopterit, sipas Kolivand, u gjetën në rrugën për në fshatin Khoilar-Kalam: ekipet e kërkimit gjetën pjesë të bishtit dhe tehut të avionit në një kodër.
Në një deklaratë, qeveria saktësoi se vdekja e Raisit nuk do të shkaktojë “çrregullimin më të vogël në administratën” e Republikës Islamike të Iranit.
“Presidenti punëtor dhe i palodhur i popullit iranian sakrifikoi jetën e tij për kombin”, nënvizon qeveria, duke shpjeguar se “ne sigurojmë kombin besnik se, me ndihmën e Zotit dhe mbështetjen e popullit, nuk do të ketë përçarje minimale në administratën e vendit”.
Më pas, lajmi për vdekjen e Raisit u konfirmua edhe nga televizioni shtetëror iranian, i cili e cilësoi presidentin si “martir të shërbimit” duke specifikuar se vendi dhe data e ceremonisë mortore do të komunikohet më vonë.
Helikopteri që mbante Raisin, ka shumë të ngjarë të ishte një “Bell 212”, funksional që nga fundi i viteve 1960.
“Bell 212” u prodhua fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në Kanada, dhe Irani kishte blerë disa lloje të përdorura nga ushtria amerikane në vitin 1976. Përveç motit të keq, vështirësitë e Iranit konsistojnë në marrjen e komponentëve zëvendësues për shkak të sanksioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.