Drejtësia

‘Gërdeci’/ Bie kërkesa e Fatmir Mediut për riekspertim financiar, familjarët e viktimave e akuzojnë: Vrasës, duhesh arrestuar!

Gazeta Si – Pas një seance të shoqëruar nga tensione dhe akuza mes familjarëve të viktimave dhe avokatit të Fatmir Mediut, i cili po gjykohet në rolin e të pandehurit për shpërdorim detyre për çështjen ‘Gërdeci”, GJKKO rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes për akt të ri ekspertimi financiar.

Në seancën e radhës, e cila do të mbahet në 29 maj, do të thirren ekspertët për të debatuar aktin e përpiluar prej tyre.

Përmes avokatëve të tij, Mediu pretendoi se akt-ekspertimi i paraqitur si provë nga SPAK ka probleme në formë dhe në përmbajtje.

Sipas avokatëve, vendimi për akt-ekspertimin nuk i është bërë me dije Mediut gjatë hetimit paraprak dhe ekspertët janë zgjedhur në mënyrë të njëanshme, në kushte të papajtueshmërisë ligjore.

“Akuzohem për Gërdecin, kur kam dhënë dorëheqjen dhe lashë mandatin. Dua të përballem me ligjin, jo akuza politike. Po kërkohet një kokë turku”, mësohet të ketë thënë Mediu.

Ndërkohë familjarët e viktimave janë shprehur se “fajin e kanë prokurorët që nuk ngrenë akuza për vrasje”, duke e cilësuar Mediun si “kriminel” dhe duke i thënë “Turp të të vijë!”.

Në momentin që Mediu po lexonte deklaratën, familja e Zamira Durdës, e cila ka humbur djalin e mitur në tragjedinë e 15 viteve më parë, është nxehur dhe ka thënë “ vrasës, e kanë fajin prokurorët që nuk të arrestojnë e nuk ngrenë akuzë për vrasje” .

“Ja ku i ke prokurorët , kërkojua ta bëjnë mos ma kërko mua”, u përgjigj Mediu. Ish-ministri ka shtuar se ekspertët janë të paligjshëm, duke e konsideruar një proces terësisht të pabazë.

Për përplasjet me familjarët e viktimave në sallën e gjyqit, ai u shpreh: “E kuptoj dhimbjen, por deri në një pikë. Nuk kam fyer kënd, dhe është në rregullin normal mos të më fyejë kush. E cakton Gjykata kush është krimineli”.

PJESË NGA DEBATI:

Feruzan Durda: Mos na ofendo, nuk ke turp.

Avokati Ardian Visha: Nxirreni jashtë.

Fatmir Mediu: Kam të drejtën të marr fjalën

Feruzan Durda: E ka fajin prokuroria që nuk të ngre akuzën e vrasjes.

Avokati Ardian Visha: Nuk mund të dëgjojmë tallava dhe ofendime në mënyrë barbare.

Feruzan Durda: Turp të të vijë.

Avokati Ardian Visha: S’më vjen turp nga ju. Jashtë nga salla. SUS të dy.

Feruzan Durda: Mos më thuaj SUS mua.

Sa i takon hetimeve që po kryhen për tragjedinë e Gërdecit, ai theksoi për mediat para SPAK se ka 16 vite që “po i bëhet persekutim personal e familjar për qëllime politike”, për një ngjarje në të cilën nuk ka gisht.

Dorëheqjen e tij në vitin 2008 e cilëson si një akt moral në respekt të jetëve të humbura. “Ishte një akt moral, por nuk mund të keqpërdoret për të krijuar një situatë ku patjetër duhet të ketë një kokë turku. Është provuar katërcipërisht se ministri nuk ka lidhje me shpërthimin dhe gjithë pasojat në Gërdec.”

Për akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria, shtoi se nuk është provuar asgjë deri më sot.

“Kam deklaruar që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në atë kohë, 3 ditë pas ngjarjes, përballë të gjitha autoriteteve se nëse gjenin një kontakt timin, të familjarëve apo stafit tim me ata që zhvillonin proces në Gërdec, do merrja të gjithë përgjegjësinë ligjore. Gjë që nuk është provuar.”

Edhe pse Mediu bëri kërkesë për një akt të ri ekspertimi, Prokuroria e Posaçme e refuzoi.

“Përfaqësues të KLSH-së dhe Auditit të Ministrisë së Financave, e kanë të ndaluar me ligj. S’kanë firmosur si ekspertë. KLSH dhe Auditi kanë bërë kontrolle në Ministrinë e Mbrotjejs dhe nuk kanë gjetur asnjë shkelje. Për çfarë më akuzon mua Prokuroria? Unë s’kam qenë inspektor tatimesh, s’kam qenë ndonjëherë inspektor mjedisi. Nëpërmjet ekspertëve të paligjshëm nuk llogarisin as procedura, as vendime të qeverisë apo përgjegjësi konkrete të një procedure që zgjati 16 muaj. Ministri ka lejuar vetëm kalim municionesh, nuk ka lidhur kontratë. E provuam me shkresa e fakte se ministri nuk kishte dijeni dhe as nuk e ka zgjedhur Gërdecin.”

Po sipas mbrojtësve, 4 nga 5 ekspertët kanë qenë nëpunës shtetërorë dhe pa licensimet përkatëse, ndërsa i pesti nuk kishte njohuri financiare.

Tjetër problem i konstatuar nga avokatët, ishte fakti që ekspertët nuk janë njohur me akte të rëndësishme të dosjes, pyetjet që i janë shtruar atyre kanë qenë më së shumti të karakterit juridik e jo atij ekonomik dhe se ekspertët kanë marrë kompetenca të gjykatës dhe prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë