Nga Gazeta ‘SI’ – Plani për krijimin e një dhomë Ekonomike Kombëtare është publikuar për konsultim nga qeveria.
Sipas dokumentit, çdo biznes i regjistruar në QKB do të bëhet pjesë e Dhomës, vetëm në rastet kur janë anëtarë në dhoma apo urdhra profesionalë të krijuar me ligj të veçantë.
Në dokument theksohet se krijimi i kësaj Dhome, nuk do të prekë organizmat ekzistuese, apo të atyre që mund të krijohen në të ardhmen në formën e shoqatave, fondacioneve, organizatave jofitimprurëse etj.
Dhoma Ekonomike Kombëtare (DHEK) është konceptuar si person juridik publik i krijuar me ligj, jo shtetëror dhe ka autonomi organizative, funksionale dhe financiare. Në raport me pushtetin ekzekutiv, Dhoma nuk do të ketë raporte varësie apo hierarkie ndërsa të ardhurat e saj do të gjenerohen nëpërmjet tarifave vjetore të anëtarësisë, tarifave për shërbimet që ofron, kontributeve e donatorëve vendas dhe të huaj, donacioneve të anëtarëve të saj dhe burimeve të tjera, të cilat nuk bien ndesh me legjislacionin.
Por deri në vitin 2025, DHEK do të mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit. Fondi për vitin e parë do të jetë 40 milionë lekë ndërsa në vitin e dytë 100 milionë lekë.
Gjatë kësaj periudhe kalimtare, një Komision i Përkohshëm Teknik do të ngrihet për të siguruar organizimin e zgjedhjeve të para dhe mbështetjen për ngritjen e strukturës administrative. Relacioni jep më shumë detaje për bizneset që do të anëtarësohen në këtë dhomë.
Bizneset e vogla dhe ato biznese që regjistrohen për herë të parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit do të paguajnë si tarifë vjetore anëtarësimi prej 1 mijë lekësh. Ndërsa bizneset e tjera do të paguajnë një tarifë që do të vendoset nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Ekonomike Kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.