Libra

‘Vallëzim me Hënën’, Namik Dokle sjell legjendat e Gorës, krahinën veriore mes tri shteteve

Legjendat e goranëve, një populli në veri të Shqipërisë, të ndarë mes tri shtetesh, janë mbledhur në një libër nga shkrimtari Namik Dokle. Ndërsa dokumenton trashëgiminë gojore të zonës së tij, ai ndalet edhe në disa prej legjendave dhe tipareve të tyre.

52 legjenda të Gorës janë përfshirë në librin më të ri të shkrimtarit Namik Dokle. Në një kohë që modernizimi po zbeh traditat dhe trashëgiminë gojore, Dokle thotë se e nis rrëfimin e tij mbi librin me legjendën më të lashtë të Gorës, që tregon mbi ditën kur Zoti thirri nga një njeri për çdo krahinë, për t’u dhënë secilit diçka nga të mirat e kësaj bote.

“I fundit nga gjithë të thirrurit, arriti Njeriu nga Gora. Ndërkohë, gjithë të tjerët kishin mbaruar punë; kishin marrë atë që u dhuroi Zoti dhe po ktheheshin për në krahinat e tyre, të afërta, apo të largëta. Kur pa goranin, Zoti u habit. Vij nga fundi i botës”-i tha ai, “ nga Gora.” – “Erdhe vonë”, i tha Zoti, “unë i ndava gjithë të mirat që kisha”. -“O Zot, unë bëra nëntë ditë dhe nëntë net rrugë deri te oborri yt, mos më kthe duarbosh”. -Zoti hodhi sytë nëpër oborr, mori një gur dhe ia dha. “Këtë kam dhe po ta jap me gjithë zemër, ndoshta pak gjëra do të keni në jetë, por gurët e maleve tuaj do t’i doni shumë”, tregon Dokle.

Si shkrimtar, Dokle e ka pasur krahinën e lindje së tij Gorën, ku me gjasë jetojnë pasardhësit e bogomilëve dhe legjendat e saj të pranishme në veprat e veta. Këtë herë ai vendosi të dokumentojë disa prej tyre, që po zhdukeshin nga kujtesa, duke nisur që nga titulli.

“Gora është një krahinë e ndarë që pas Luftës së Parë Botërore. Kur Shqipëria e Enver Hoxhës dhe Jugosllavia e Titos, i mbyllën hermetikisht kufijtë ndërmjet tyre, një pjesë e Gorës kishte mbetur nën Jugosllavinë. Goranët atëherë thoshin: Tito andej, Enveri këndej, mjegulla në mes! Titulli i librit vjen nga një legjendë që flet për tri vajza që vallëzojnë me hënën. Nga legjenda kishte mbetur vetëm një varg, mbi një livadh ku vajzat kërcejnë me hënën. E bukura e Gorës është se legjendat i ka më shumë lirike se sa epike”, – tha Dokle.

Prezantimi i librit të politikanit Namik Dokle, “Vallëzim me Hënën” (Legjendat e Gorës) u bë në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Kanë qenë të pranishëm politikanë, kolegë të autorit, akademikë, botues etj.

Legjendat do të botohen edhe në gjuhën spanjolle së shpejti, pasi vetë libri ka lindur nga një bisedë e Dokles me botuesen e tij në Madrid.

Namik Dokle lindi më 11 mars të vitit 1946 në Durrës. U diplomua në Universitetin Bujqësor, dega Ekonomi Agrare (1965-1970) si dhe në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gazetarisë (1968-1970).

Më 1994 ai ndoqi një kurs specializimi për gjuhën dhe kulturën spanjolle në Universitetin Complutense, Madrid. Më 1995 u specializua pranë Këshillit të Europës për Problemet Parlamentare, Strasburg dhe më 1997 ndoqi një kurs specializimi për problemet e tranzicionit në Madrid.

Gjatë viteve 1970-1983 punoi si gazetar e me pas si kryeredaktor në redaksinë e gazetës “Puna”; 1991: kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Gjithashtu ai ka edhe një veprimtari të gjerë politike që prej vitit 1991, si një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste, Nënkryetar i saj, Kryetar i Grupit Parlamentar, Zv/Kryeministër, Nën/Kryetar i Kuvendit dhe më pas Kryetar. Në disa legjislatura ka qenë deputet. Pas tërheqjes nga politika iu kthye librave.

Ka botuar librat: “Ditët e lakuriqëve të natës”, “Lulet e skajbotës”, “Dënimi i dytë i Homerit”, “Shën Maria e Beratit”, “Vajzat e mjegullës”, “Dhjetë gramë nder”, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë