Jeta e Orion Delaj në Seul është e thjeshtë. Ai shkon çdo të hënë dhe të mërkurë në mësim për të mësuar gjuhën koreane në Yeonam Global Village Center në universitetin Hongik, më pas dita e 26-vjeçarit kalon pa angazhime të tjera. Ai jeton në një apartament me një dhomë të vogël të quajtur “gosiwon”, një stil strehimi i njohur me një shtrat të vetëm dhe një tavolinë, në perëndim të kryeqytetit koreanojugor.
“Unë nuk mund të bëj asgjë, thjesht kaloj ditët, duke u endur dhe duke u përpjekur të takoj njerëz të mirë”, tha Delaj, i cili erdhi në Kore dhe aplikoi për statusin e refugjatit në nëntor 2017, por nuk ka marrë ndonjë telefonatë ose email prej asaj kohe.
“Fatkeqësisht shumica e njerëzve që kam takuar ishin të këqij dhe bënin premtime të rreme, duke më kërkuar para për të më mundësuar leje qëndrimi këtu,” shton ai.
Bartësi i përkohshëm i vizave G-1, i cili duhet ta rivendosë atë çdo tre muaj, përshkruan jetën e tij në Kore si një “makth”. Ai zgjohet në mëngjes dhe nuk di çfarë të bëjë, vazhdimisht e pyet veten se çfarë do të bëjë, çfarë do të ndodhë me të.
“E dija që jeta ime në Kore nuk do të ishte e lehtë, por problemi është se kjo mënyrë e jetese nuk është njerëzore,” tha Delaj.
Ai nuk e di se çfarë do të bënte nëse kthehej në Shqipëri.
“Çfarë bëj atje, nuk ka të ardhme për mua, nuk ka asgjë tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Evropën,” shton ai
Delaj ka frikë të kthehet në Evropë për shkak të kërcënimeve me vdekje. Ai kurrë nuk është grindur, por mban mbi supe mosmarrëveshjet midis familjes së tij dhe familjes së dhunuesve. Keqtrajtimi vazhdon nëpër breza.

Fenomeni i gjakmarrjes, i cili ka bllokuar anëtarët e familjes Delaj, do të zgjasë derisa të dyja palët të varrosin të gjithë burrat e shtëpisë. Deri atëherë, anëtarët meshkuj të mbijetuar, me përjashtim të grave dhe fëmijëve, ngurrojnë të largohen nga shtëpitë e tyre nga frika se do të vriten. Në vitin 2008, mediat spanjolle shkruanin se mafia kishte vrarë xhaxhin e tij, Elidon Delaj, në Barcelonë, në shtator 2006. Policia spanjolle pohoi se rasti ishte i lidhur me rivalitetin për trafikimin e paligjshëm në gadishullin Iberik, duke çuar në “një ekzekutim mafioz”. Në shtator 2012, kushëriri i Orionit, Amarildo Delaj, u qëllua për vdekje para shtëpisë së tij në qytetin e Vlorës. Delaj thotë se xhaxhai dhe kushëri i tij ishin viktima të “Kanunit”, një traditë zakonore shqiptare që daton nga shekulli i 15-të, e cila kodifikon të drejtën për të marrë një jetë për të shpëtuar nderin nga një gabim i mëparshëm.
“Unë erdha në Kore për t’u larguar nga kjo, ndërsa prindërit dhe motrat e mia janë stabilizuar në Itali. Nuk ka rëndësi sa vite kanë kaluar ose kush jeni ose ku jeni, këta njerëz do t’ju gjejnë, ky është realiteti më i trishtuar i vendit tim,” thotë Delaj.
Ai thotë se qeveria shqiptare e di kush janë vrasësit dhe çfarë bëjnë ata, por mafia ka korruptuar qeverinë dhe gjyqtarët. Shqiptarët mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë, që do të thotë se mafia mund të ndjekë një objektiv kudo që ndodhet atje. Ai zgjodhi Korenë në minutën e fundit, duke shpresuar se do të ishte vendi më i largët ku mund të fluturonte.
“Unë mund të kisha kërkuar azil në Gjermani, Norvegji, Suedi ose Finlandë. Mirëqenia e tyre e famshme sociale jep ndihmë dhe përkrahje, madje edhe të dërgon në shkollë nëse dëshironi të studioni, por unë nuk shkova atje, erdha këtu sepse u ndjeva më i sigurtë”, thotë Delaj.
Pas arritjes në Kore, Delaj luftoi për t’u integruar në komunitetet lokale. Ai trokiti në dyert e agjencive dhe shkollave humanitare dhe u fut në punë me kohë të pjesshme në një restorant italian në Seul, por të gjitha vendet që vizitoi nuk i ofruan më shumë ndihmë se sa një punë e rëndomtë. Delaj nuk ishte i dëshpëruar për para. Ai donte një profesion për të pasur një jetë dinjitoze. Hapi i parë ishte që qeveria koreane t’i japë atij statusin e refugjatit, por që nga 7 nëntori i vitit të kaluar, kur ai kërkoi azil në zyrën e emigracionit të Seulit, kjo zyrë nuk është bërë e gjallë.
“Nëse ka kaluar më shumë se një vit që kur ai ka kërkuar statusin e refugjatit, atëherë duket se vlerësimi i qeverisë duhet të ketë qenë i vonuar për arsye të pashmangshme”, tha një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë për mediet e huaja.
Ligjet kombëtare të refugjatëve nuk vendosin kohë dhe afat për një përgjigjesi në një rast të tillë.

“Është një udhërrëfyes i nevojshëm, pasi duhet shumë kohë për të vlerësuar deklaratat faktike në detaje dhe përvojat e veçanta përpara dhënies së azilit,” tha zyrtari i ministrisë.
Ministria tha se kohët e fundit kishte pasur një rritje të shpejtë të azilkërkuesve. Që nga fundi i tetorit, qeveria ka regjistruar 18,879 raste që presin për vlerësim.
Menjëherë pasi aplikoi, Delaj vizitoi përsëri autoritetin e imigracionit në Seul për të pyetur se çfarë do të ndodhte me aplikimin e tij dhe për të pyetur rreth mjeteve të mundshme të integrimit shoqëror. Ai tregon se një zyrtar madje u tregua i pasjellshëm me të.
“Ai më tha që kam nevojë për një kartë identiteti koreane për të qëndruar dhe për të marrë një të tillë duhet të kem një kontratë pune dhe shtëpi”, tha Delaj.
“Kur i thashë se nuk kisha para për të paguar një depozitë si paradhënie për një kontratë të tillë, më tha me vrazhdësi se nuk ishte problemi i tij,” shton ai
Caleb Jeong, një pastor i krishterë që viziton rregullisht zyrën për të parë nëse ka ndonjë shpirt të humbur që mund të ndihmojë, ka dëgjuar bisedën e zhurmshme midis Delaj dhe zyrtarit. Pastori i ofroi Delaj një vend në strehën e tij të kishës në Pyeongtaek, Provinca Gyeonggi. Ai thotë se ka edhe refugjatë të tjerë në kishën e tij, të cilët i ndihmon me dokumente vizash, gjuhë koreane dhe utilitete të tjera.
“Unë zakonisht nuk u besoj njerëzve, por mendova se mund të më jepte udhëzime kështu që shkova te ai,” tha Delaj.
Delaj tregon se pranoi një ofertë për punë nga Jeong, pa e ditur linjën e punës. Kur mbërriti atje pas një udhëtimi rreth një orë, ai i tha se do të punonte në një fabrikë që kultivonte rrepa. Të gjithë punëtorët ishin të huaj nga vendet e Azisë Juglindore ose arabë.

Jeong tha për gazetën “The Korea Times” se nuk kishte qëllime përfitimi dhe se ai donte të ndihmonte të huajt që kishin nevojë për një punë.
“Unë i ndihmoj njerëzit si Delaj që ta përmbush misionin tim,” tha Jeong.
Organizatat jofitimprurëse janë të padobishme. Menjëherë pas shpërnguljes në Seul, Delaj vizitoi zyrën e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë në Jung-gu, për të kërkuar ndonjë mjet për përfshirje sociale.
Një zyrtar nga organizata tha se ishin thjesht një zyrë por nuk i ndihmonin refugjatët për punë. Gjithashtu, zyrtari i sugjeroi të kërkonte ndihmë nga organizatat lokale.
“Ai me dha numrat e kontaktit për organizatën Pnan në rrethin Dongjak-gu dhe Nancen,” tha Delaj.
Ai vizitoi zyrat, por ishte i zhgënjyer pasi nuk gjeti atë që kërkonte. Ata thjesht i thanë se mund të gjente një punë në një fabrikë ose në një fermë pas gjashtë muajsh, vende ku ai nuk donte të punonte.

“Me qetësi pyeta punonjësit e agjencisë ku isha regjistruar në fillim, se pse refugjatët gjithmonë duhet të punojnë në fabrika. U thashë se refugjatët janë si të gjithë njerëzit e tjerë dhe jo skllevër,” tha Delaj.
Pasi mori një leje pune nga qeveria, Delaj punoi për tre muaj në një restorant italian në Gangnam afër vendit ku banonte. Atje formoi një marrëdhënie të rrallë me një korean që nuk ishte bazuar në urrejtje, gënjeshtra apo fanatizëm kundër refugjatëve, por miqësi të vërtetë.
“I vetmi person që ishte i sjellshëm me mua ishte shefi i kuzhinës. Ai nuk më pyeti se nga cili vendi vija, apo se ku ishte familja ime, por thjesht më mbështeti dhe me ndihmoi me sa mundi,” shton Delaj
Ai thotë se nuk mund të qëndrojë më në gjendjen e mjerueshme në të cilën jeton. “Mendoj se një vit është mjaftueshëm për të pritur dhe për të marrë disa përgjigje nga qeveria. Ata as nuk më dhanë mundësinë për të shpjeguar pse kam ardhur këtu,” shton ai. /The Korea Time/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje