Gazeta Si - Irani ka nisur mbrëmjen e kësaj të shtune sulmin hakmarrës ndaj Izraelit, duke lëshuar qindra dronë kamikazë (Al Arabia thotë se janë 400) dhe raketa, të cilët raportohet se do të duan disa orë që të godasin objektivat.
Teherani kishte paralajmëruar prej ditësh se do të përgjigjej ashpër ndaj izraelitëve, pasi këta të fundit bombarduan konsullatën iraniane në Siri, duke vrarë 7 persona që ndodheshin brenda.
Ndërkohë që mediet e huaja raportojnë se Irani ka nisur sulmin ndaj Izraelit, avioni i kryeministrit Benyamin Netanjahu u ngrit nga Izraeli për arsye sigurie. Këtë e raporton faqja e internetit "Ynet".
Netanjahu, ka thënë se sistemet për mbrojtje ajrore janë aktivizuar dhe që forcat e armatosura të Izraelit janë gati.
“E kam një parim të qartë – kushdo që na lëndon, do ta lëndojmë. Ne do të mbrojmë veten nga çdo kërcënim dhe do ta bëjmë këtë me qetësi dhe vendosmëri. Jemi gati për çdo skenar”, ka thënë ai.
Teksa Irani ka nisur një sulm me të paktën 50 dronë kamikazë drejt Izraelit, aleatët e këtij të fundit janë mobilizuar dhe kanë nisur përgatitjen për kundërpërgjigje.
Dronët besohet se janë nisur drejt Izraelit vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti amerikan, Joe Biden, është kthyer në Uashington “për t’u konsultuar me ekipin e sigurisë kombëtare për zhvillimet në Lindje të Mesme”, lidhur me tensionet e larta mes Izraelit dhe Iranit.
Biden ishte planifikuar të kalonte fundjavën në Delauer, mirëpo të shtunën pasdite është kthyer pas një njoftimi të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë.
Biden ka thënë të premten se pret një sulm iranian ndaj Izraelit së shpejti, ndonëse e ka paralajmëruar Teheranin të mos veprojë ashtu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.