Drejtësia

Raporti i SPAK tregon ku veprojnë grupet kriminale: Zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion

Nga Gazeta 'Si'- "Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një realitet për t’u shqetësuar”, vëren raporti vjetor i SPAK për vitin 2023.

Në të janë analizuar sektorët si krimi i organizuar, veçoritë e përgjithshme të grupeve kriminale shqiptare, shpërndarja, si veprojnë dhe karakteristikat e tyre.

Nga hetimet, grupet me aktivitet kriminal janë evidentuar në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë.

Harta e tregjeve kriminale

Është evidentuar se në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave.

Ndërsa trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit. Në qytetet si Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.

Sa i përket veçorive specifike të grupeve kriminale shqiptare, në raport thuhet se grupet janë një anëtarësi mesatare e pjesëtarëve të grupit prej 15-25 personash.

Veçoritë e përgjithshme të grupeve kriminale shqiptare

SPAK thekson se grupet kriminale shqiptare janë kryesisht poli-kriminale, ku përfshihen kryesisht trafiku i narkotikëve, vrasjet, rrëmbimet, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit etj.

“Dhuna, e cila është një veçori në zbehje mbetet një karakteristikë tjetër e grupeve kriminale shqiptare. Kryesisht dhuna përdoret nga grupe me strukturë hierarkike, të cilat bazohen në lidhje gjaku dhe familjare, dhe të cilat janë në konflikt për kontroll territori ose konkurrencë për tregje kriminale.

Grupet shqiptare të cilat e kanë këtë veçori, janë kryesisht grupe, të cilët kanë aktivitet të konsoliduar në një territor të caktuar, por të cilat kanë gjithashtu shtrirje dhe aktivitet kriminal edhe në tregjet kriminale ndërkombëtare.

Në rastet e kryerjes së veprimtarisë në tregjet ndërkombëtare kriminale, grupet shqiptare bashkëpunojnë edhe më grupe të tjera për shërbime të cilat nuk mund të mbulohen prej tyre”, vëren raporti.

SPAK gjithashtu thekson se vërehet një bashkëpunim i grupeve kriminale edhe me oficerët e policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë, të cilët kanë luajtur role të ndryshme, duke filluar që nga dekonspirimi i operacioneve policore, njoftimi për personat kundërshtar të vënë në shënjestër nga grupet kriminale, dhënie informacioni për individë të ndryshëm, dhe aktivitetet të tjera në pengimin e drejtësisë.

“Një karakteristikë shqetësuese është dhe përfshirja e personave kyç në jetën komunitare, siç janë edhe Kryetarët e Fshatrave (kryepleqtë), të cilat janë përfshirë qoftë drejtpërdrejt në aktivitete kriminale ose në mënyrë indirekte duke shpërdoruar detyrën ose duke mos kallëzuar krimin.

Shihet një tendencë në rritje e angazhimit të femrave në funksione të rëndësishme për grupet kriminale. Disa nga rolet më tipike të evidentuara në organizatat kriminale, të cilat merren me trafikun e narkotikëve, janë ato në administrimin e të ardhurave dhe mbikëqyrja e transferimit fizik dhe nëpërmjet institucioneve bankare të parave. Kryesisht femrat të cilat luajnë këto role, janë bashkëjetuese të krerëve të organizatës dhe konsiderohen si persona shumë të besueshëm të organizatës kriminale”, vëren raporti.

SPAK thekson se vihet re gjithashtu, përdorimi gjithnjë e më në rritje i formave të koduara të komunikimit duke përdorur aplikacione të ndryshme dhe aparate telefonike të specializuara për të tilla komunikime.

“Kryerja e pagesave, si dhe konvertimi i parave në kriptovaluta është një tjetër veçori e cila është evidentuar gjatë vitit 2023. Duhet cilësuar se ky fenomen është vënë re më së shumti tek grupet kriminale, të cilat kanë kryer transaksione me anë të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet aktiviteteve tregtare të ashtuquajtura “call center”, thekson raporti.

Grupet kriminale që veprojnë në Shqipëri

“Struktura e këtyre grupeve varet kryesisht nga lloji i aktivitetit kriminal, kohëzgjatja, zona ku veprojnë dhe shtrirja e tyre në tregjet kriminale ndërkombëtare.

Nga hetimet e vitit 2023, vihet re se disa nga grupet kriminale të njohura në vend, tashmë tregojnë sa kanë arritur të sofistikojnë veprimet e tyre, kjo dhe si rezultat i përplasjeve me grupet e tjera rivale. Këto grupe janë poli- kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe.

Prezenca e tyre në Shqipëri, dhe ndikimi në zonat ku ato veprojnë në komunitet vijon të mbetet i konsiderueshëm.

Tipologjia e një grupi të strukturuar kriminal

Struktura e këtyre grupeve kriminale është hierarkike me ndarje të qarta rolesh, dhe me një numër mesatar anëtaresh prej 10-15 personash. Lidhjet e tyre bazohen në lidhje familjare dhe shoqërore. Pjesa vendimmarrëse bazohet tek lidhjet familjare.

Siç u cilësua më lart, ajo që vihet re në disa raste janë edhe lidhjet e krijuara me përfaqësues të policisë së shtetit qoftë në nivel lokal, por dhe qendror, të cilët kanë ndihmuar grupet kriminale kryesisht në dhënien e informacioneve apo ndjekjen e lëvizjeve të kundërshtarëve të tyre.

Një veçori tjetër, është edhe përfshirja e biznesmenëve të fuqishëm kryesisht në nivel lokal të cilët luajnë rolin e ndërmjetësit kyç, ku përveç marrëdhënieve tregtare, ju kanë ofruar këtyre grupeve lidhjet e tyre në policinë e shtetit, organet e drejtësisë dhe administratës publike, kryesisht në dhënien e informacioneve ose kontakteve me të tretët”, shkruhet në raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë