Politike

PS miraton komisionin për dezinformimin, Gjekmarkaj: Tentativë për të ndërhyrë në lirinë e medias (dhe debati për ligjin anti-shpifje)

Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj e ka cilësuar “tentativë për të ndërhyrë në lirinë e medias” kërkesën e PS për krijimin e një komisioni të posaçëm për koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Në Konferencën e Kryetarëve Gjekmarkaj (i cili votoi kundër) tha: “Kjo është një tentativë për të spostuar diskursin politik nga aferat e qeverisë. Por përtej kësaj, ky propozim është problematik. Vjen si një tentativë e dytë për të ndërhyrë në lirinë e medias. Vjen pas dështimit të paketës antishpifje, një paketë që u kundërshtua fort nga ndërkombëtarët. Ngjan me atë që ka ndodhur në Turqi, mbi fjalën demokraci u bë dhunimi me i fortë i shtyllave të demokracisë. Duhet një reflektim dhe një kujdes i madh”

PS

Nga ana tjetër kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, tha se fokusi është koordinimi dhe mbikëqyrja e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

"Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë cdo iniciative te mazhorancës. Por nuk është ky rasti. Për shkak të zhvillimeve nëpër botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara. Dezinformimi është një nga instrumentet që po përdoret gjerësisht për të cenuar vlerat demokratike. Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE pati një rezolutë dhe një komision të posacëm për këtë punë. Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë. Ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme. Do të bëjë një analizë të plotë të situatës. Mendoj se nëse ky Parlament do të ketë një komision ku ne duhet të jemi në sinkron, është ky komision ku duhet të japim një analizë të detajuar se në cilin nivel ka shkuar ndërhyrja e këtyre vendeve. S'mund të jemi ne imunë kur nuk është SHBA apo vendet e BE. Eshtë në nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni", tha  Çuçi.

Gazment Bardhi kërkoi shtyrjen e kërkesës së PS-së për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

“Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të na informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet” tha Bardhi.

Në fund të mbledhjes, komisioni i posaçëm u miratua vetëm me votat e mazhorancës.

Debati

Ndërkohë ka një debat të hapur, siç e pretendon deri diku edhe Gjekmarkaj, nëse me proces po rikthehet  ligji anti-shpifje, nga i cili PS-ja u tërhoq kohë më parë pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.

Në vitin 2018 kryeministri shqiptar Edi Rama propozoi dy ndryshime në ligjin e medias që preknin median online përmes një pakete të njohur si anti-shpifja.

Në të përfshihej detyrimi i portaleve për t’u regjistruar, gjoba të larta kur konsumohej shpifja dhe ngritja e Këshillit të Ankesave si pjesë e AMA-s dhe disa rregulla të tjera.

Propozimet shkaktuan pakënaqësi e kundërshtime nga ndërkombëtarët.

Përpjekjet për ndryshimin e ligjit mori disa rekomandime në disfavor të qeverisë nga Komisioni Venecias në vitin 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë