Art dhe Kulture

Njëqind vite surrealizëm: Çfarë është kjo rrymë artistike dhe pse sot mbetet më e rëndësishme së kurrë më parë

Nga Cath Pound- Nga një tren me avull që del me forcë nga një oxhak (“Time Transfixed” e René Magritte) apo tek shpina nudo e një gruaje të transformuar në violinë (“Le Violin D’Ingres” e Man Ray) arti surrealist ka ende fuqinë për të na intriguar. Ky vit shënon 100 vjetorin e lëvizjes, megjithatë ndikimi i saj rezonon ende tek artistët në mbarë botën.

Surrealizmi e ka origjinën tek trauma kolektive e Luftës së Parë Botërore dhe tek epidemia globale e gripit e vitit 1918. I bindur se bota racionale dhe mashkullore ishte fajtore për tmerre të tilla, themeluesi i grupit, shkrimtari francez André Breton, kërkoi një alternativë “irracionale” të rrënjosur tek bota e nënndërgjegjes dhe e gjendjeve të ëndrrave.

Në “manifestin e parë surrealist” – një broshurë shpjeguese e botuar në Paris në tetorin e vitit 1924, e cila përshkruante idealet e grupit – Breton bënte thirrje për një revolucion në mënyrën e të menduarit “të diktuar nga mungesa e të gjithë kontrollit të ushtruar nga arsyeja”.

Ndonëse kjo mund të tingëllojë disi e çuditshme, ishte në fakt një thirrje për liri dhe një refuzim i status quo-së.

“Surrealizimi është një lëvizje rebelimi kundër institucioneve, fesë, ushtrisë dhe të gjitha fuqive që u përpoqën të burgosnin mendjen”- thotë Xavier Canonne, kurator i shfaqjes “Histoire De Ne Pas Rire” (Një histori e të mos-qeshurit) – në Qendrën e Arteve të Bukura Bozar në Bruksel, Belgjikë.

Një lëvizje me liri unike

Duke filluar si një lëvizje letrare, surrealizmi u shndërrua shumë shpejt në një lëvizje artistike. Imazhet e ëndrrave dhe lojërat vizuale janë tiparet e tij më të përsëritura. E tillë është edhe ndjeshmëria politike dhe dëshira për ta bërë shikuesin të pyesë mbi botën përreth tij.

Megjithatë, mungesa e një estetike të përcaktuar u dha artistëve surrealistë një liri unike për t’u shprehur në çfarëdolloj mënyre që ata zgjidhnin. Në tablonë me titull “Ndërtim me fasule të ziera (Parandjenja e Luftës Civile)” të pikturuar në vitin 1936, artisti spanjoll Salvador Dalí përshkruan një figurë gjigante delirante, të shtrembëruar në mënyrë të çuditshme, duke u copëtuar me gëzim dhe duke iu referuar vetë-shkatërrimit tragjik të shkaktuar nga Lufta Civile Spanjolle.

“Tradhtia e imazheve” e realizuar nga René Magritte në vitin 1929 ka një qasje më të ftohtë cerebrale. Kombinimi i një imazhi të një tubi me fjalët “Ceci N’est Pas Un Pipe” (Kjo nuk është një llullë), na detyron të vëmë në dyshim atë që shohim dhe çfarë na thuhet.

Lëvizja u zgjerua shumë shpejt. Ajo përshkoi kufij gjeografikë dhe dekada, dhe artistë nga vende dhe epoka të ndryshme i përshtatnin idealet e saj me stilet dhe shqetësimet e tyre. “Metamorfoza është një nga idetë kryesore të gjithë lëvizjes, dhe sigurisht që ka ndryshuar me kalimin e kohës. Artistë të ndryshëm me prejardhje të ndryshme, mund ta përdorin Surrealizmin për të eksploruar shqetësimet e tyre individuale”- thotë Francisa Vandepitte, kuratore e “Imagjino! 100 vjet Surrealizëm” që po shfaqet aktualisht në Muzeun Mbretëror të Arteve të Bukura të Belgjikës përpara se të zhvendoset në Hamburger Kunsthalle në Gjermani, Fundación Mapfré të Madridit, dhe së fundi në Muzeun e Artit në Filadelfia, SHBA. Çdo muze që do të presë këtë ekspozitë do të tregojë një përzgjedhje thelbësore të veprave dhe do t’i shtojë atyre të tjera nga koleksionet e tyre, duke theksuar se si u zhvillua lëvizja në rajone të ndryshme.

Ndikimi i një brezi të ri artistësh

Ndërsa surrealizmi kishte imazhin e të qenit mizogjin – Breton dhe hierarkia e hershme mashkullore e grupit i konsideronin gratë brenda lëvizjes thjesht si “muza” – gratë po prodhonin dhe ekspozonin që në fillim art së bashku me kolegët e tyre burra. Por puna e tyre u anashkalua për shumë vite nga një institucion historik i artit, i cili sigurisht ishte mizogjin.

Për të korrigjuar ekuilibrin, ekspozitat e Brukselit po tregojnë punën e artisteve belge Jane Graverol dhe Rachel Baes të cilat “përfituan nga thirrjet e lëvizjes për liri dhe e eksploruan atë sipas kushteve të tyre” tha Vandepitte. Artiste të tjera të shquara – si piktorja dhe shkrimtarja britanike Leonora Carrington, e cila ndoqi lirinë si në jetë po ashtu edhe në veprën e saj – vazhdojnë të jenë me ndikim tek një brez i ri artistësh.

Carrington u shpërngul në Meksikë në vitet 1940, dhe së bashku me Remedios Varo dhe fotoreporteren hungareze-meksikane Kati Horna, zhvilluan një version unik femëror të surrealizmit, i cili i referohej shoqërive matriarkale dhe misticizmit.

Vepra e saj u fokusua edhe në çështjet ekologjike dhe androgjininë, dhe frymëzoi temën e  Bienales së Venecias në vitin 2022, ku shumë artiste femra ishin të ndikuara prej saj. Por kjo nuk do të thotë se janë vetëm artistet femra, ato që po e përqafojnë sot Surrealizmin.

Në librin e tij “New Surrealism: The Uncanny in Contemporary Painting”, artisti dhe shkrimtari Robert Zeller shpjegon pse dhe si artistët bashkëkohorë po angazhohen me idetë dhe imazhet surrealiste. Zeller beson se tërheqja nga Surrealizmit tek artistët e sotëm, vjen për shkak të lirisë që u jep atyre për t’u shprehur në një mënyrë që është e arritshme për të gjithë, pra në gjuhën e ëndrrave.

“Duke përdorur një gjuhë vizuale që normalisht do të ishte e rezervuar për ëndrrat, artistët mund të jenë të tërthortë, më të mprehtë në komunikim përmes përdorimit të absurditetit dhe kuptimeve të fshehura”- thotë Zeller.

Artistët po respektojnë tek parimet klasike surrealiste, të tilla si prezantimi i të njohurës si e panjohur dhe e çuditshme, ballafaqimin e imazheve në dukje të palidhura dhe përdorimin e absurditetit për të kritikuar çështjet politike ose sociale “por në mënyra të reja që flasin për një brez të ri”- thekson Zeller.

Duke pasur parasysh situatën tonë aktuale politike dhe sociale, e cila në një farë mënyre pasqyron atë të viteve 1920, ka shumë gjëra për të cilat duan të flasin artistët bashkëkohorë. “Sigurisht situata nuk është aq e tmerrshme, të paktën për sa i përket miliona viktimave të Luftës së Parë Botërore. Por ne sot kemi ende shumë luftëra që po vazhdojnë dhe sapo kemi dalë nga një pandemi globale”- nënvizon Zeller.

Gjuha e paqartë e surrealizmit, mund të jetë gjuha e përsosur në të cilën mund të zhvillohen edhe ato biseda. Siç vuri në dukje Zeller: “Mund të jetë e vështirë të shprehësh veten, bindjet e tua pa ofenduar dikë. Por askush nuk do të ofendohet nga përdorimi i gjuhës së ëndrrave”.

Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë