Politike

Investimet e dhëndrit të Trump, Rama: Projekt ambicioz, s’po e shesim Sazanin. Delirantëve u them se s’është as zonë e mbrojtur

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë për një lajm që u mor vesh nga media ndërkombetare se dhëndri i ish-Presidentit Donald Trump pritet të investojë në zonat turistike të Shqipërisë, konkretisht në ishullin e Sazanit, Manastirin e Zvërnecit dhe Ksamil. Ai u ndal gjatë në këtë pikë kur mbajti fjalën hapëse në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së

Sipas kryeministrit Edi Rama, ata që flasin për shkatërrim të zonave të mbrojtura, thjesht delirojnë, pasi siç u shpreh ai “Sazani nuk ka qenë kurrë zonë e mbrojtur, përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës”.

“Këto ditë, Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndrri i ish-Presidentit Trump, shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy projekte të mëdha turistike në Shqipëri! 

Po ata, që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm, e për investimet e huaja direkte, sot po flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe! 

Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur s’ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës, që prisnin me dylbi zbarkimin e Flotës së Shtatë Amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë me rregull treshi, se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. 

Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale nga zemërimi i tij, - ju kujtohet si thonin atëherë kur u zgjodh për mua, por ja ku jam sot-  i pengon ata më gojështhurrurit ti bashkangjiten këtyre zërave të lëshojnë rrufetë e akuzave e të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë të dalë nga thesi i parave të Sorosit, që kam hyrë në një mega-aferë korruptive me djalin për shpirt të armikut më të betuar të Sorosit! 

Shyqyr xhanëm, se balta e hedhur mbi ata që vijnë nga jashtë kufijve të Shqipërisë, për të kontribuar në Shqipëri me fondacione apo me investime, e bën Shqipërinë të duket padrejtësisht qesharake në sytë e botës, siç janë qesharake akuzat e shpifjet e tyre për ta! 

Por e vërteta që ka rëndësi në këtë mes, nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme, për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, Aman Hotels&Resorts, e cila ka ndërtuar një duzinë strukturash në zona përrallore të UNESCO-s në Azi e në Lindjen e Mesme. 

E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është se Shqipëria, kampione e turizmit në rajon në 2030, nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërmeje të ndritur, po një projekt gjeopolitik dhe ekonomik, që po formësohet me plane  e masa konkrete, të cilat krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik. Sa për mbrojtjen e natyrës shqiptare, janë vetë njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë, që e dinë më mirë se kushdo, se kush e mori në mbrojtje dhe kush e shkatërroi natyrën e vendit tonë, kush i ruan e i nxjerr në pah dita-ditës bukuritë e këtij vendi dhe kush e shëmtoi dhe mbuloi me plehra kudo që mundi trupin magjepsës të Shqipërisë". 

Me tej, ai nenvizoi: "Atyre që thonë po shisni pasuritë e atdheut tek pesë oligarkë, po shisni Sazanin tek të huajt, e ku di unë se sa të tilla akoma, u them jo, gaboheni, në Shqipëri nuk janë pesë, po janë qindra investitorë vendas që janë angazhuar me projekte të reja shumë ambicioze në turizëm, pa llogaritur mijëra të tjerë që kanë ngritur e po ngrenë struktura hoteliere turistike e agro-turistike e të tjerë akoma që mezi presin që ne tu lehtësojmë rrugën në zonat malore e sidomoss në veriun e vendit për të m,arfrë tituj e pronës, ata ndërtojnë në prona private dhe numri I pronarëve shqiptarë që kanë përfituar e përfitojnë nga kapitalizimi i trojeve të tyre është dhjetëra e dhjetëra mijëra

Ne nuk do ta shesim as Sazanin e as asnjë zonë tjetër me pronësi shtet tek asnjë i huaj, tjetërkush i nxorri të tëra tokat e shtetit, përfshirë edhe Sazanin, në pazarin e botës me 1 euro dhe nuk i erdhi asnjë i marrë në Shqipërinë e zhytur në kriminalitet, korrupsion, plehra, pluhur e shëmti ngado hidhje sytë dhe që bënte lajmë në botë vetëm për keq. Sot, Shqipëria në të gjitha mediat e botës ëhstë një lajm i mirë.

Kudo ku të huajt do të investojnë në zona me pronësi shtet, për të ngritur sektorin e ekselencës me pesë yje në industrinë tonë të re të turizmit, shqiptarët do të jenë pjesë përmes aksioneve të shtetit.  Dhe ne do të vigjëlojmë që projektet e miratuara të jenë shembëlltyra të denja për koleksionin prestigjoz të veprave të shkëlqyra të botës në turizëm, e për revistat ndërkombëtare të arkitekturës, siç po ndodh aktualisht me kullat e Tiranës, ku përpos të tjerash do të fitojmë në vite edhe një koleksion tërheqës firmash të arkitektëve me prestigj ndërkombëtar, për turistët e kurioziteteve arkitekturore. 

Kjo e reja për Sazanin, nuk është kërkesa e parë që ne kemi pasur. Vitet e fundit ka pasur disa interesime dhe madje projekt-ide që na janë ofruar dhe i kemi refuzuar, pikërisht sepse nuk jemi as të interesuar për të bërë pazare për vete, as të paditur që të pranojmë zhvillime mediocre, në emër të futjes së kapitaleve të mëdha në turizëm, që pastaj kthehen në kosto jo vetëm, për natyrën, por edhe për ekonominë dhe për imazhin e vendit, po jemi të qartë se çfarë vlerash duhet t’i lemë trashëgim brezave me këto zhvillime dhe jemi shumë të përkushtuar që bukuritë e Shqipërisë  të mos cënohen prej tyre, përkundrazi të kthehen në burim rritjeje ekonomike dhe krenarie për shqiptarët..."  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë